
Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, Behar Duraku, sot është larguar nga kjo parti dhe ka aderuar në PDK, parti kjo e cila udhëheq me këtë komunë.
Duraku përmes një njoftimi ka bërë të ditur se arsyeja e largimit nga LDK-ja është krijimi i grupacioneve të shumta që janë për brenda LDK-së në Vushtrri, transmeton VeriuInfo.
Me rastin e aderimit në PDK, Duraku është mirëpritur nga kryetari i komunës, Ferit Idrizi, nënkryetari i komunës, Shpetim Zhegrova dhe kryetari i degës së PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi.
Ndryshe, procesi i brendshëm zgjedhor i LDK-së i zhvilluar para pak javësh në degën e Vushtrri, ishte përcjellë me pakënaqësi të shumta të aktivistëve të kësaj partie, për të cilat kishte raportuar VeriuInfo.
VeriuInfo mëson se së shpejti pritet të ketë edhe largime tjera nga dega e LDK-së në Vushtrri, të cilën e udhëheq ish kryetari i komunës, Xhafer Tahiri.
Postimi i Behar Duraku:
Të nderuar qytetarë ju njoftoj se që nga sot nuk jam pjesë e LDK-së dhe tash e tutje aktivitetin tim qytetarë e politik, do e vazhdoj në përkrahje dhe mbështetje të kryetarit Ferit Idrizi dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Shtytja ime për aderim në PDK është si rrjedhoj e mos kordinimit dhe grupacioneve të shumta që janë për brenda LDK-së në Vushtrri, të cilat kanë bërë që kjo parti të ket divergjenca të mëdha për brenda anëtarëve të saj.
Unë do ta ruaj me fanatizëm lidhjen tonë dhe do të jap maksimumin tim që të garantoj hapsirën e merituar për secilin prej jush.
Besoj në suksese të përbashkëta, kam shumë energji dhe vullnet, që në vend të përqarjes të promovojmë bashkëpunimin dhe t’i trajtojmë pa kompromis çështjet e interesit qytetarë.
Me besimin e plotë në kryetarin Idrizi se me
punën dhe angazhimin e tij do bëjë më të mirën për qytetarët e Vushtrrisë.
Ju falenderoj për përkrahjen, vazhdojmë tutje.
Me respekt Behar Duraku!










