Interi po punon për ta reduktuar numrin e lojtarëve në skuadër.
Mes futbollistëve që pritet të largohen është edhe Kristjan Asllani, i rikthyer pas huazimeve te Torino dhe Besiktas dhe që nuk bën pjesë në planet e trajnerit Cristian Chivu.
Për mesfushorin shqiptar ka shfaqur interesim Al Jazira nga Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan “Goal”.
Dy klubet po përpiqen ta arrijnë një marrëveshje. Mbetet për t’u përcaktuar formula e transferimit dhe nëse vetë lojtari do të jetë i gatshëm ta pranojë destinacionin e ri.
Më herët, për Asllanin kishin shfaqur interesim edhe klube të tjera, mes tyre Monza.
Asllani, i lindur në vitin 2002, gjatë huazimit të fundit te Besiktas i zhvilloi 33 ndeshje, duke i shënuar 2 gola dhe duke i dhënë 2 asistime.
Interi e bleu mesfushorin nga Empoli, por gjatë viteve të tij në Milano ai e pati të vështirë të gjente hapësira për shkak të konkurrencës së madhe.
Fillimisht ishte Marcelo Brozovic ai që ia zinte vendin, ndërsa më pas Hakan Calhanoglu.
Në UAE Pro League, Asllanin e pret një kontratë mjaft fitimprurëse, ndërsa Interi po shtyn për një transferim përfundimtar të lojtarit.
Tashmë priten zhvillime të reja gjatë orëve të ardhshme, me Al Jaziran që kërkon ta bindë Interin dhe vetë Asllanin për ta realizuar transferimin.
Për mesfushorin shqiptar, aventura në Milano duket se po shkon drejt fundit. /Gazeta Express












