
Gazetari Astrit Gashi, ka reaguar pas vendimit të ri të ARBK-së në lidhje me tërheqjen e certifikatës së biznesit të Klan Kosova, një ditë pasi njoftoi se ka anuluar vendimin për një gjë të tillë.
Siç raportuan mediat, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së ARBK-së, Pranvera Prestreshi, u shkarkua nga kjo pozitë pasi, siç u tha, kishte konflikt interesi me Klan Kosovën, gjë që nuk qëndron.
Sipas informatave nga media tjera, në vend të saj është emëruar znj. Lebibe Haliti, që raportohet se është motra e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, Enver Haliti.
E Gashi këto veprime të institucioneve shtetërore i ka krahasuar me aferën e njohur si “Pronto” të ish-qeverisë Thaçi.
“E shkarkojmë një zyrtare të shtetit, që më herët i ishte dorëzuar partisë në pushtet por pasi e ndërroi vendimin, me arsyetimin se ka konflikt interesi – familjarin e ka të punësuar aty. Por e zëvendësojmë zyrtaren e shkarkuar, me motrën e deputetit të partisë në pushtet. Kjo nuk ka konflikt interesi a po? Adem Grabovci po qesh me juve, amatera!”, deklaroi Gashi.










