Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli kanë mbetur të plagosur nga atentati mafioz që ndodhi këtë të diel në një lokal në pronësi të Fatjon Muratit në zonën e Don Boskos në Tiranë.
Autorët raportohet se kanë qenë dy persona dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt lokalit. Si pasojë mbeti e vdekur banakierja e lokalit.
Zëvendësdrejtori i Krimeve të Rënda, në policinë e Tiranës, Alket Shatro tha për mediet se nga ngjarja ka mbetur e vrarë Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe. Mes të plagosurve është edhe një vajzë rreth 10 vjeçe e cila ka mbetur e lënduar nga xhamat e fasadës së lokalit. Dyshohet se në shënjestër të atentatit ka qenë një prej të plagosurve./Gazeta Express











