Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar 40 kontrata me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, vetëm gjatë vitit të kaluar, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit. Vlera totale e këtyre kontratave është mbi 70 milionë euro.
Në disa prej aktiviteteve të prokurorimit, ZKA ka gjetur mangësi. Një prej gjetjeve është për kontratën 56 milionëshe për modernizimin e turbinave në Termocentralin Kosova B.
Ndërkohë, për nëntë kontrata të tjera në vlerë rreth gati 2 milionë euro, Auditori thotë se arsyet nuk ishin bindëse dhe nuk kishin të bëjnë me situata ekstreme emergjente, për të cilat përdoret procedura me negocim.
Madje, thuhet se arsyet më shumë i atribohen mos planifikimit të duhur dhe neglizhencës.
“Nëntë raste, në vlerë 1, 895, 203 euro, ishin nënshkruar kontratat përmes procedurës së negocimit për shkak të situatave emergjente në të cilat tashmë gjendej kompania. Këto kontrata kishin të bëjnë me shërbime dhe furnizime të ndryshme, si Ruajtja dhe sigurimi i objektee të kompanisë, sigurimi shëndetësor për punonjësit e kompanisë, transporti i punonjësve të kompanisë, furnizimi me mazur, furnizim me acid klorhidrik, konsulencë ligjore, shërbime për zhvendosjen fizike dhe ekonomike për një pjesë të fshatrave të Komunës së Obliqit. Arsyet e ofruar nga kompania nuk ishin bindëse dhe nuk kishin të bëjnë me situata ekstreme emergjente që nuk mund të parashikoheshin. Për më shumë i atribohen mos planifikimit të duhur dhe neglizhencës ashtu siç kishte dhënë opinion Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, në tre prej këtyre rasteve”, theksohet në raport.
Në fund, ZKA i ka rekomanduar Bordit të Drejtorëve që të forcojë procesin e planifikimit të aktiviteteve të prokurimit, në mënyrë që të shmang maksimalisht përdorimin e procedurave me negocim.
Ndryshe, Neni 35 I Ligjit për Prokurim Publik, thekson se autoriteti kontraktues mund të përdoru procedura të negociuara pa publikimin paraprak të njoftimit të kontratës nëse për arsye objective dhe të detyrueshme teknike ose artistike, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industrial apo të drejtave ekskluzive dhe për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti kontraktues.












