Renovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë, ishte temë diskutimi ndërmjet ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku me anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Probleme me shpronësimin, vonesa në zbatimin e punëve si dhe plotësimin e kushteve kontraktuale, ishin disa nga të gjeturat e raportit të Zyrës së Auditorit për stadiumin “Adem Jashari në Mitrovicë”, atë të Gjilanit si dhe të Gjakovës.
Stadiumi i Mitrovicës “Adem Jashari”, ku u luajt loja e parë ndërkombëtare e Kosovës, ka tash e disa vite që ka mbetur në gjendje të mjerueshme.
Gazeta Online Veriu.info ka raportuar në mënyrë të vazhdueshme për ngecjet e shumta në renovimin e këtij stadiumi, që mban një emër të madh të historisë sonë më të re.
Së fundi ekipi i Veriu.info ka realizuar edhe një storie me kryetarin e klubit të futbollit “Trepça” Avni Haxhiu, i cili ka kritikuar vonesat e shumta në punime dhe sidomos ministrin Hajrulla Çekun, që sipas tij duket se nuk dëshiron të investojë.
Por duket se pak shpresë ka mbetur, pasi ministri Hajrullah Çeku në diskutimin e sotëm para deputetëve ka thënë se është çështje ditësh lëshimi i lejes përfundimtare para nisjes së punimeve.
“Rasti më i komplikuar stadiumi Adem Jashari në Mitrovicë. Është çështje ditësh kur do të lëshohet leja përfundimtare para nisjes së punimeve. Në momentin që sigurohet leja ndërtimore operatori. Buxheti është i siguruar për të gjitha stadiumet”, tha ai.
/Veriu.Info/













