Në një intervistë në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin, Syla ka folur për procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, duke shprehur pritshmëritë e tij lidhur me vendimin për dy prej tyre, por edhe shqetësimet që ka familja për trajtimin procedural të Kushtrim Kokallës.
“Jam i bindur që tek Naim Murseli dhe Granit Plava do të konfirmohet burgimi me dënim të përjetshëm. Nuk ka asnjë rrethanë që e përjashton këtë gjë”, ka deklaruar Syla.
Megjithatë, një vëmendje të veçantë në deklarimin e tij ai i ka kushtuar rastit të Kushtrim Kokallës, për të cilin ka shprehur rezerva lidhur me mënyrën se si janë zhvilluar hetimet dhe administruar provat gjatë procedurës.
Sipas Sylës, trajtimi i këtij rasti nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe disa aspekte të procedurës kanë mbetur, siç e ka cilësuar ai, të zbehura.
Avokati ka vënë në pah veçanërisht faktin se, ndryshe nga pjesët e tjera të procedurës, vetëm deklarimi apo mbrojtja e Kokallës është zhvilluar me dyer të mbyllura. Kjo, sipas tij, ka ngritur pikëpyetje dhe shqetësime për mënyrën se si është trajtuar ai gjatë gjithë procesit gjyqësor.
“Përjashtimisht nga të gjitha procedurat, vetëm deklarimi apo mbrojtja e tij është bërë me dyer të mbyllura. Fatkeqësisht ka ndodhur kjo gjë gjatë procedurës. Pra, kam një shqetësim dhe një ndjesi që Kokalla është privilegjuar deri në fund të procesit”, ka thënë Syla.
Ai ka bërë të ditur se edhe familja e të ndjerës Liridona Ademaj ka pasur shqetësime lidhur me këtë çështje, duke shprehur frikën se mund të ketë pasur ndonjë ndikim në drejtësi në raport me Kushtrim Kokallën.

















