Aktakuza ndaj katër drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, është rënduar me akuza të reja që iu referohen krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës dhe në konviktin e Gjilanit.
Anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës, u dorëzuan nga Prokuroria e Specializuar e kryesuar nga Jack Smith.
Kjo, pasi gjyqtari i procedurës paraprake, më 23 dhjetor 2021 e aprovoi kërkesën për akuzat e reja, ndërsa u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së mbrojtjes.
Sipas aneksit 5 të aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve, si pasojë e krimeve të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së në rajonin e Suharekës kanë pësuar 12 persona, të komuniteteve të ndryshme.
Lidhur me zgjerimin e aktakuzës dhe raportimet se së shpejti mund të arrestohen edhe 13 pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, për FrontOnline ka folur avokati i akredituar nga Specialja, Skender Musa.
Ky thotë se zgjerimi i aktakuzës është i mangët.
“Zgjerimi i aktakuzës është i mangët sa i përket fakteve dhe provave në çka mbështetet prokurori special sepse në shumicën e rasteve vetëm përmenden deklaratat e palëve të dëmtuara dhe pastaj shkruhet fjalia e reduktuar”, është shprehur Musa, për FrontOnline.
Ndërsa, ka thënë se nuk dihet se a do të ketë apo jo arrestime të reja.
“Çështja e mundësisë së arrestimeve të personave të tjerë që përmenden në aktakuzë është në strategjinë e prokurorit special se sa e vlerëson ai të nevojshme që, pastaj fillimisht të bëjë ndalimin e tyre për 48 orë pastaj, a do të paraqes kërkesë apo jo për caktimin e masës së paraburgimit kjo më tepër mund të jetë më tepër në nivel spekulativ sepse këto çështjet e arrestimeve nuk bëhen publike nga ana e prokurorëve qoftë vendor apo ndërkombëtar dhe ne nuk kemi ndonjë informacion se a do të ketë arrestime apo nuk do të ketë arrestime”, ka thënë ai.
Kurse, duke iu referuar akuzave që janë shtuar e për të cilat thotë se janë përmendur vrasje e rrëmbime mund të ndodhë që edhe të ketë arrestime.
“Mund të konkludojmë se në bazë peshës së veprave penale për të cilat dyshohet ose janë akuzuar personat që përmendem mund të ndodhë që të ketë arrestime, pasi që bëhet fjalë në disa raste edhe për vrasje të ndryshme të ndodhura gjatë luftës dhe pas luftës sepse rrëmbime që siç thuhet në një rast ën Gjilan rrëmbehet një person dhe pastaj ai person asnjëherë nuk është gjetur dhe konsiderohet person i zhdukur, mirëpo në zgjerim të aktakuzës nuk përmendet me emra se cili është ai person dhe dihet se në vepër penale duhet të dihet se cili është personi i rrëmbyer apo i vrarë në mënyrë konkrete me të dhënat e identifikuara të tij të qarta”, ka pohuar avokati Musa.
Lidhur me mundësinë e arrestimeve të reja FrontOnline ka marrë përgjigje edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Kosovë.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, Christofer Bennet, nuk ka dashur të komentojë siç ka thënë ai spekulimet e mediave.











