Ish kryetari i komunës së Mitrovicës dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, iu ka dalë në përkrahje mësimdhënësve që ishin në grevë në lidhje me ekzekutimin e pagave të tyre.
Ai ka kërkuar nga ministri i Ministrisë së Financave, Hekuran Murati, që pa vonesë të bëjë ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve, transmeton Veriu.info.
Postimi i Agim Bahtirit:
Pagat e mësimdhënësve duhet patjetër të ekzekutohen nga Ministria e Financave. Andaj, ftoj ministri Hekuran Murati që t’i ekzekutoj pagat pa vonesë.
Inflacioni financiar i muajve të fundit dhe shpenzimet e shtuara familjare për t’u përgatitur për dimër, domosdoshmërisht që vendosin në vështirësi familjet e mësimdhënësve. Kur shtojmë këtu edhe faktin se shumica prej mësimdhënësve kanë kredi në bankat komerciale, atëherë mos-ekzekutimi i pagave do t’i godiste rëndë mësimdhënësit dhe familjet e tyre.
Ekzekutimi i pagave do të duhet të përcillet edhe me obligimin që mësimdhënësit t’i kompensojnë orët e humbura mësimore gjatë këtij viti shkollor.
AB











