Ish kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar pas vizitës së sotme të Emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, në Mitrovicë.
Bahtiri i ka reaguar Lajçakut duke thënë se ky i fundit po dëshiron të hapë temën e ndarjes së kufijve administrativë mes dy komunave, temë kjo që sipas Bahtirit ka përfunduar në vitin 2015, raporton Gazeta Online Veriu info.
Bahtiri i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që mos ta lejojë një gjë të tillë.
Ai ka thënë se ura e Ibrit duhet të hapet pa asnjë kusht pasi është mbyllur padrejtësisht.
Postimi i plotë i Bahtirit:
Të dashur qytetarë,
Jam duke i përcjellur me vëmendje zhvillimet e dites së sotme në Mitrovicë, gjegjësisht viziten e Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ky i fundit, mendon që ta rifillojë një temë që ka përfunduar qysh në vitin 2015. Ai dëshiron që së bashku me kryetarin Hamza të fillojë bisedimet për ndarjen e kufijve administrativë të dy komunave në këmbim të hapjes së Urës së Ibrit, prandaj i bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që mos ta lejojë një gjë të tillë.
Ura e Ibrit duhet të hapet pa asnjë kusht dhe pa asnjë kompensim, sepse është mbyllur padrejtësisht për më shumë se dy dekada.
Kufijtë aktual janë në kuadër të Planit të Ahtisarit, andaj për këta kufij nuk guxon të negociojë askush, sepse për ta ndërruar Planin e Ahtisarit duhet miratimi i dy të tretave të kuvendit dhe dy të tretave të pakicave.
AB













