
Janë bërë 7 muaj që kur vërshimet shkatërruan shtëpitë e shumë prej banorëve të Mitrovicës Veriore, por të njëjtit vazhdojnë të mbesin në mëshirë të fatit pasi askush deri më tani nuk u ka dalë në ndihmë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Banorët e prekur nga vërshimet e janarit të këtij viti, kanë vendosur sot të protestojnë para komunës së Mitrovicës Veriore, komunë që drejtohet nga Erden Atiq që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ani pse pozitën e kryetarit e siguroi me votat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës, Erden Atiq nuk gjeti kohë t’i dëgjojë hallet e qytetarëve.
Atiq u bë i njohur gjithandej Kosovës derisa po qëndronte i mbyllur në objektin e komunës ku edhe e bënte gjumin për “kauzën” politike të veriut, por sot nuk gjen as pak minuta kohë për t’i pritur qytetarët që e votuan e të cilët më shumë se kurrë më parë kanë nevojë për dorën institucionale.
Banorët e prekur nga vëshimet në Mitrovicën Veriore i priti në takim nënkryetarja e komunës që vjen nga komuniteti serb, Katerina Axhançiq, dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Uglanin.
Ata kanë dëgjuar kërkesat e banorëve dhe u kanë premtuar se do të lëvizin tutje.
Në një prononcim për Gazetën Online Veiru.info kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Uglanin, ka theksuar se të martën kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme ku do të merret vendimi për mbështetjen e banorëve të prekur nga vërshimet.
“Ne sot kemi pritur në takim banorët e prekur nga vërshimet, dhe iu kemi treguar se të martën do të mbajmë seancë të jashtëzakonshme ku do të marrim vendim që mjetet të ndahen nga kategoria e suvencioneve dhe mallrave dhe shërbimeve, pasi e kemi parë se ka mjete financiare.” – deklaroi Uglanin për Veriu.info.
Në emër të banorëve për Veriu.info ka folur edhe përfaqësuesi i lagjes dhe anëtari i komisionit vlerësues për dëmet e vërshimeve, Avni Peci, i cili ka thënë se komisioni vlerësues ka kryer shumë kohë më parë punën e tij ku ka identifikuar 97 shtëpi të prekura nga vërshimet por që ende asgjë nuk është bërë nga institucionet.
Ai ka theksuar se dokumentacionin e kompletuar e kanë dërguar tek komuna e Mitrovicës Veriore, Mitrovica Jugore, MAPL dhe AME.














