Që nuk duhet dhe nuk mund të kenë rol teknik kryetarët në veri, e thotë për Front Online edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu.
“Kryetarët e komunave atje kanë kaluar një proces elektoral i cili është i bazuar në Kushtetutë dhe në ligj dhe ata kur të marrin detyrën duhet të zbatojnë ligjet në fuqi dhe Kushtetutën, pra ata duhet të punojnë jo në baza teknike dhe punë teknike, ajo është absurd i absurdeve. Ata ose zbatojnë ligjet e në ligje janë të shkruara obligimet e tyre se çka duhet të bëjnë ata ose nuk zbatojnë”, ka deklaruar Baraliu, për Front Online.
Sipas Baraliut, procesi zgjedhor në veri të vendit ka qenë i rregullt.
Ani pse serbët nuk kanë marrë pjesë, Baraliu thotë askush nuk iu ka ndaluar, por se këtë e kanë bërë me qëllime politike.
“Ka kaluar një proces atje, ka qenë dalja e ulët por procesi është plotësisht i rregullt dhe ata kanë marrë mandat, dikush tjetër nuk e ka shfrytëzuar të drejtën, dhe mos shfrytëzimi i të drejtës nuk është mohim i së drejtës. Atyre iu është dhënë por me qëllime politike destruktive. Lista Serbe dhe Beogradi nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre dhe i kanë bojkotuar zgjedhjet për qëllime po them thjesht destabilizuese dhe anti-qytetare”, është shprehur ai.
E, në rast se ndonjëri prej kryetarëve nuk i kryen detyrat dhe përgjegjësitë siç i takojnë atëherë, Baraliu thotë se bën shkelje.
“Nuk ka punë teknike e të tjera, por ka punë dhe obligime e përgjegjësi ligjore, ata kryetarë atje dhe asamblist të gjithë bashkërisht duhet t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që i kanë kushtetuese dhe juridike ligjore, përndryshe bëjnë shkelje”, ka shtuar ndër të tjera Baraliu.












