Gjatë një kontrolli në një shtëpie dhe në një lokali pronë e të dyshuarit mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar armë dhe substanca narkotike.
Siç thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 09:15 në fshatin Kqiq i Madh në Mitrovicë.
“Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, DHTN Mitrovicë- Jug, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhe me asistim të njësive relevante policore, përfshirë NjRSh dhe njësinë K-9, ka realizuar operacionin policor të koduar “Muzgu”. Në kuadër të këtij operacioni është realizuar kontrolli i një shtëpie dhe një lokali, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: rreth 110.6 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë; një revole M57, kalibër 7.62 mm, së bashku me dy karikatorë; një pushkë gjuetie, kalibër 12 mm; nëntë fishekë të kalibrit 7.62 mm; dy fishekë të kalibrit 9×19 mm; katër fishekë për pushkë gjuetie, kalibër 12 mm; një peshore digjitale; 150 euro dhe 6,000 dinarë serbë; dy radiolidhje; si dhe një shufër metalike me mbishkrimin ‘POLIC’ ”.
Tutje thuhet se dokumentimi, evidentimi dhe sekuestrimi i provave materiale është kryer nga njësia rajonale e kriminalistikës, në përputhje me procedurat përkatëse.
Siç thuhet në njoftim personi i dyshuar nuk është gjetur në lokacion në momentin e kontrollit, ndërsa më vonë është paraqitur në zyrat policore, në prani të avokatit mbrojtës.
“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”.













