Gjatë programit të tij të mbrëmjes sonte, prezantuesi i televizionit shtetëror rus Dmitry Kiselyov mbajti një monolog në të cilin shtroi pyetjen: “pse na duhet bota nëse Rusia nuk është në të?”
Ai po komentonte kështu njoftimin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili sot tha se po i vendos forcat bërthamore të Rusisë në gatishmëri të lartë. “Në total, nëndetëset tona janë të afta të lëshojnë mbi 500 koka bërthamore, gjë që garanton shkatërrimin e SHBA-së dhe të gjitha vendeve të NATO-s”, tha ai në emisionin e tij “Vesti Nedeli”, raporton BBC, transmeton Zeri.info.
“Kjo është sipas parimit ‘pse na duhet një botë nëse Rusia nuk është në të?'” “Armët bërthamore të Rusisë shpërndahen gjithashtu nga bombarduesit strategjikë më të shpejtë në botë”, tha ai, duke shtuar se “të mos flasim pastaj për Forcat tona Strategjike të Raketave”. “Në total, aftësia bërthamore e Rusisë është më e fuqishmja në botë”, tha ai.
“Tani e gjithë triada bërthamore e Rusisë është vënë në gatishmëri speciale. Putini i paralajmëroi ata. Mos u përpiqni ta frikësoni Rusinë”.












