Për mundësinë që zgjedhjet parlamentare të Serbisë të 17 dhjetorit të mbahen edhe në Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar “marrëveshje të veçantë” midis Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa Serbia e ka refuzuar dhe e ka njoftuar ekuivalentin e KQZ-së së saj që zgjedhjet serbe nuk dotë mund të mbahen në territor të Kosovës për shkak se, siç e interpretuan ata, “Kurti i kushtëzoi zgjedhjet me njohje”.
Në lidhje me këto zgjedhje, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian duke “rekomanduar” që palët të shohin për një “modalitet” përmes të cilit do të bëhej e mundshme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Në një përgjigje për agjencionin serb të lajmeve “Tanjug”, zëdhënësi i Bashkimit Evropian ka thënë se moslejimi i këtyre zgjedhjeve serbe “nuk është në frymën e dialogut” teksa i është referuar praktikave të mëhershne – të ndaluara nga Kurti – që zgjedhjet serbe të mbahen përmes OSBE-së.
“BE rekomandon vazhdimin e praktikës së vendosur për lejimin e serbëve të Kosovës të votojnë në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare serbe më 17 dhjetor, me lehtësimin e OSBE-së. Ne presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord për modalitetet që do ta lejojnë këtë të ndodhë, në mirëbesim dhe frymë kompromisi”, ka thënë Stano për Tanjug.
“BE-ja mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë t’u mundësojë serbëve të Kosovës të marrin pjesë në proceset demokratike. Si e tillë, është thelbësore që votuesit serbë që banojnë në Kosovë të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore dhe të hedhin votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha mes tjerash Peter Stano.













