
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano tha sot se vizita e javës së kaluar e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd, konfirmoi se të dyja palët ende kanë qëndrime thelbësisht të kundërta për shumë çështje dhe shtoi se konsultimet për hapat e ardhshëm janë në vazhdim.
“Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak ishte në Prishtinë dhe Beograd i shoqëruar nga i dërguari amerikan Gabriel Escobar për të diskutuar elementet kyçe për përparimin e mëtejshëm, bisedimet ishin shumë të vështira, veçanërisht në Prishtinë, dhe vizita konfirmoi se të dy palët ende kanë pikëpamje në thelb të kundërta për shumë pyetje”, tha Stano për agjencinë e lajmeve “Beta”, transmeton Paparaci.
Ai shtoi se Lajçak e informoi përfaqësuesin e lartë të BE-së për bisedimet dhe se tani janë duke u informuar shtetet anëtare dhe janë duke u zhvilluar konsultimet për hapat e ardhshëm.
Stano përkujtoi se BE-ja i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktivë dhe të gatshëm për kompromise, duke shtuar se nevojiten hapa pozitivë, veçanërisht nga pala kosovare, për të zbutur shpejt tensionet në veri të Kosovës. Nëse palët nuk reagojnë, BE-ja është e gatshme të marrë masa vendimtare që do të ndikojnë në marrëdhëniet tona, tha Stano.
Ai theksoi se deklarata e 27 vendeve të BE-së nga 3 qershori është ende në fuqi, në të cilën, ndër të tjera, thuhet se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i bashkohen dialogut, i cili përfshin “fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe pa vonesë apo parakushte të mëtejshme”.











