Ushtruesja e detyrës së shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka vlerësuar progresin e vendit në renditjen globale të lirisë së medias, pas ngritjes me 15 vende në raportin e fundit të Reporterët pa Kufij.
Ajo ka theksuar se ky përmirësim është një sinjal pozitiv për zhvillimin e mediave në vend, por ka shtuar se ai duhet të ruhet dhe forcohet nga institucionet dhe zyrtarët publikë.
“Ky përparim tani duhet të mbahet nga zyrtarët publikë dhe institucionet politike që ndajnë përgjegjësinë për sigurimin e një mjedisi që mbështet median”, ka deklaruar Palatova.
Sipas saj, liria e medias kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional dhe respektim të standardeve demokratike, në mënyrë që gazetarët të punojnë të lirë dhe të sigurt.
Bashkimi Evropian ka ritheksuar se do të vazhdojë mbështetjen për zhvillimin e mediave dhe forcimin e lirisë së shprehjes në Kosovë, si pjesë e përkushtimit për avancimin e vlerave demokratike në vend.














