Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Beteja për pronën e shtrenjtë ku mbesa i hodhi në gjyq Ethem Çekun me vëllëzër | Dokumenti i kontestuar për falsifikim shkon në Forenzikë

03/11/2026 - 18:03
në Lajme
A A
Beteja për pronën e shtrenjtë ku mbesa i hodhi në gjyq Ethem Çekun me vëllëzër | Dokumenti i kontestuar për falsifikim shkon në Forenzikë
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që nënshkrimi i Musli Çekut në dokumentin e trashëgimisë të dërgohet për ekzaminim në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë. Për këtë qëllim, janë kërkuar dhjetë mostra të tjera të nënshkrimeve të tij, nga dokumente të ndryshme zyrtare, përfshirë pasaportën, librezën e punës, marrëveshjet bankare dhe dokumentet e KEK-ut. Në seancën e fundit, një dëshmitar mohoi se nëna e tij kishte marrë 10 mijë euro për të hequr dorë nga trashëgimia, ndërsa gjykata refuzoi dëgjimin e Musli Çekut dhe gjobiti me 500 euro përfaqësuesen e familjes që bëri komente për rastin e Arlinda Zekajt, duke komentuar “gjykatë kriminale…”

Një dokument i trashëgimisë, një nënshkrim që kontestohet, një pronë me vlerë të madhe në Pejë dhe një konflikt familjar që po zgjat prej vitesh. Beteja gjyqësore brenda familjes Çeku ka hyrë në një fazë të re, pasi Gjykata Themelore në Pejë, gjykatësi Haxhi Xhemajli ka vendosur që njëri prej dokumenteve kryesore të këtij kontesti t’i nënshtrohet ekzaminimit grafologjik nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Në qendër të kësaj procedure është Musli Çeku, babai i Doruntina Çeku Eymann, i cili, sipas dokumentit të trashëgimisë të kontestuar nga familja e tij, kishte hequr dorë nga pjesa e trashëgimisë në favor të vëllait të tij, Ali Çeku.

Por, pala paditëse pretendon se ky dokument nuk paraqet vullnetin e lirë të Musli Çekut dhe ka kërkuar që të verifikohet nëse nënshkrimi në të është autentik.

Pikërisht kjo çështje ka marrë një rëndësi të veçantë në seancën e mbajtur më 2 nëntor 2026, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Në këtë seancë, gjykata ka përcaktuar dokumentet që do të përdoren si mostra krahasuese për ekzaminimin e nënshkrimit, ka dëgjuar një dëshmitar të propozuar nga pala paditëse, ka refuzuar kërkesën për dëgjimin e Musli Çekut në cilësinë e palës dhe ka marrë disa vendime që lidhen me administrimin e provave.

Ndërkohë, seanca është shoqëruar edhe me tensione mes përfaqësuesve të palëve dhe gjykatës, deri në shqiptimin e një gjobe prej 500 eurosh ndaj përfaqësueses së paditësve, Doruntina Çeku Eymann.

Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për këtë konflikt familjar, që është bërë publik për shkak të pretendimeve të mbesës ndaj axhallarëve të saj, përfshirë ish-ministrin dhe profesorin universitar Ethem Çeku, si dhe vëllezërit e tij Ali e Gani Çeku.

Në raportimin e 2 majit 2024, Insajderi kishte bërë të ditur se Doruntina Çeku e kishte dërguar në gjykatë axhën e saj Ali Çeku, ndërsa publikisht kishte përmendur edhe Ethem e Gani Çekun, duke ngritur pretendime për pronën familjare dhe përdorimin e saj në raport me kredi milionëshe.

Në nëntor të vitit 2025, Insajderi kishte publikuar edhe intervistën me Doruntina Çekun, e cila kishte pretenduar se axhallarët ia kishin marrë familjes pjesën e trashëgimisë dhe kishte folur për konfliktet familjare, presionet dhe incidentet fizike që, sipas saj, kishin ndodhur gjatë kësaj përplasjeje.

Në prill të vitit 2026, në një tjetër zhvillim të raportuar nga Insajderi, ishte rikthyer në qendër të vëmendjes dokumenti i trashëgimisë dhe pretendimet e Doruntina Çekut për parregullsi në këtë proces.

Tani, pas seancës së 2 nëntorit, procesi po shkon drejt një prove që mund të ketë rëndësi të drejtpërdrejtë për vlerësimin e dokumentit të trashëgimisë.

Dhjetë dokumente për të zbuluar nëse nënshkrimi është i Musli Çekut

Pjesa më e rëndësishme e seancës së fundit lidhet me vendimin për ekzaminimin grafologjik të nënshkrimit të Musli Çekut.

Gjykata ka konstatuar se, me qëllim të realizimit të ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, duhet të sigurohen mostra të ndryshme të nënshkrimit të tij, të cilat do të krahasohen me nënshkrimin në procesverbalin e datës 11 shtator 2003.

Ky procesverbal është pjesë e shkresave të lëndës T.191/03 dhe lidhet me procedurën e trashëgimisë që është në qendër të konfliktit.

Për krahasim, gjykata ka përcaktuar dhjetë mostra nga dokumente të ndryshme, të krijuara në periudha të ndryshme të jetës së Musli Çekut.

Lista përfshin:

– Tri mostra nga nënshkrimet në fatura dhe procesverbalet e KEK-ut të datës 5 korrik 2005.

– Një mostër nga fatura e KEK-ut e datës 27 gusht 2005.

– Një mostër nga libreza e punës e datës 12 maj 1989.

– Një mostër nga marrëveshja mbi pengun me ProCredit Bank, e datës 14 mars 2006.

– Një mostër nga marrëveshja e bashkëpronësisë, e datës 30 gusht 2019.

– Një mostër nga kërkesa për certifikatë pronësie, e datës 27 maj 2013.

– Një mostër nga aktvendimi i Komunës së Pejës për korrigjimin e mbiemrit familjar, i datës 5 shkurt 2008.

– Një mostër nga kontrata mbi qiranë, e datës 12 korrik 2021.

– Një mostër nga fatura e përmbaruesit privat, e datës 15 prill 2021.

– Një mostër nga pasaporta e datës 4 korrik 2019.

Pra, bëhet fjalë për dokumente që shtrihen në një periudhë prej më shumë se tri dekadash, nga viti 1989 deri në vitin 2021.

Përfaqësuesi i paditësve ka kërkuar që gjykata t’u japë tri ditë afat për sigurimin e kopjeve të dokumenteve, ndërsa origjinalet të sigurohen për gjykatën dhe palët.

“Kërkoj nga gjykata që në afat prej 3 ditësh të na lejojë që të sigurojmë për gjykatën dhe palët në kopje të mjaftueshme të shkresave të cilat janë propozuar për ekzaminim grafologjik, ndërsa të gjitha mostrat prej tyre do t’i sigurojmë në formë origjinale për gjykatën dhe palët”, u tha në seancë.

Edhe përfaqësuesi i të paditurit ka kërkuar mundësi për të siguruar dokumente origjinale të nënshkrimit të Musli Çekut.

Ai ka propozuar që dokumentet që gjenden në institucionet shtetërore të sigurohen zyrtarisht.

“Kërkojmë që edhe neve të na jepet një afat që të sigurojmë versione origjinale të nënshkrimit të këtu paditësit, si dhe t’i propozojmë gjykatës që aty ku gjenden në institucione shtetërore, t’i sigurojë zyrtarisht këto prova si krahasuese, me qëllim të vërtetimit të saktë të gjendjes së fakteve”, thuhet në procesverbal.

Pas këtyre kërkesave, gjykata ka marrë dy aktvendime.

Me të parin, është detyruar përfaqësuesi i paditësve që brenda shtatë ditësh nga dita e marrjes së aktvendimit t’i dorëzojë në origjinal mostrat e përcaktuara nga gjykata.

Me të dytin, është detyruar edhe përfaqësuesi i të paditurit që brenda të njëjtit afat t’i dorëzojë mostrat për krahasim me nënshkrimin e Musli Çekut.

Në të dyja rastet, gjykata ka konstatuar se kundër aktvendimeve nuk lejohet ankesë e veçantë.

Kjo do të thotë se në fazën e ardhshme, ekspertët e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë do të kenë në dispozicion dokumentet e përzgjedhura për të analizuar nënshkrimin në procesverbalin e trashëgimisë.

Rezultati i kësaj ekspertize ende nuk dihet dhe gjykata nuk ka konstatuar se dokumenti është i falsifikuar. Kjo është pikërisht çështja që pritet të ndriçohet përmes ekzaminimit profesional.

Pse paditësit kërkojnë anulimin e aktvendimit të trashëgimisë?

Në seancën e 2 nëntorit, gjykata ka kërkuar nga përfaqësuesi i paditësve që të sqarojë bazën juridike të kërkesës pronësore.

Konkretisht, është kërkuar të dihet nëse vërtetimi i pronësisë po kërkohet mbi bazën e trashëgimisë apo mbi bazën e kontributit në ndërtimin e pronës.

Përfaqësuesi i paditësve ka deklaruar se kërkesa kryesore është anulimi i aktvendimit të trashëgimisë, pasi, sipas palës së tij, heqja dorë nga trashëgimia nuk ka qenë shprehje e vullnetit të lirë të Musli Çekut.

“Së pari paditësi ka kërkuar të anulohet aktvendimi i trashëgimisë, pasi që i njëjti nuk është shprehje e vullnetit të tij të lirë lidhur me heqjen dorë nga trashëgimia në dobi të të paditurit Ali Çeku”, u tha nga avokati i paditësve.

Përfaqësuesi ka theksuar se kjo është baza juridike mbi të cilën është mbështetur padia dhe se pretendimet do të argumentohen përmes provave materiale dhe personale gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Por, sipas tij, e drejta e pronësisë nuk mbështetet vetëm në kontestimin e dokumentit të trashëgimisë.

Ai ka pretenduar se Musli Çeku ka kontribuar në ndërtimin e shtëpisë familjare, së bashku me bashkëshorten e tij, Servete Çeku.

“Përveç kësaj, e drejta e pronësisë së paditësit rrjedh edhe nga kontributi i tij si anëtar i familjes për ndërtimin e shtëpisë e cila është e ndërtuar në ngastrën kadastrale lëndore para dhe pas aktvendimit të trashëgimisë, së bashku me bashkëshorten e tij”, tha avokati.

Përfaqësuesi ka shtuar se këtë pretendim synojnë ta dëshmojnë përmes provave që janë paraqitur në padi dhe atyre që tashmë janë administruar nga gjykata.

Ai ka rezervuar edhe të drejtën për ta precizuar kërkesëpadinë pas administrimit të provave, veçanërisht pas përfundimit të ekzaminimit grafologjik.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurit ka deklaruar se mbetet pranë kundërshtimeve të paraqitura më herët.

“Përkitazi me bazën juridike të kërkesëpadisë, e cila edhe sot konsiderojmë se nuk është sqaruar”, është shprehur ai.

Kështu, në këtë fazë të procesit, gjykata ka para vetes dy çështje që lidhen me kontestin: pretendimin për pavlefshmërinë e heqjes dorë nga trashëgimia dhe pretendimin për kontributin në ndërtimin e pronës.

Dëshmitari mohon se nëna e tij kishte marrë 10 mijë euro

Një pjesë tjetër e rëndësishme e seancës ishte dëgjimi i dëshmitarit Gëzim Daci.

Ai është i biri i Fahrije Dacit dhe, sipas procesverbalit, ka marrëdhënie familjare me palët ndërgjyqëse, të cilat i ka përshkruar si dajë.

Dëshmitari është ftuar të deklarohet lidhur me pretendimin e paditëses Servete Çeku se nëna e tij kishte pranuar shumën prej 10 mijë eurosh nga Musli dhe Servete Çeku, si kundërshpërblim për pjesën e trashëgimisë.

Gjykata e ka pyetur drejtpërdrejt nëse ai kishte qenë i pranishëm dhe nëse nëna e tij e kishte pranuar këtë shumë.

Përgjigjja e tij ishte mohuese.

“Jo, nuk i ka pranuar dhe nuk kam qenë prezent”, ka deklaruar Gëzim Daci.

Më pas, gjykata e ka pyetur nëse nëna e tij i kishte treguar ndonjëherë se kishte marrë para nga Musli dhe Servete Çeku dhe ai tha që “jo, asnjëherë nuk ka thënë nëna që ka pranuar para nga Muslia dhe Serveti”

Kjo dëshmi është me rëndësi për shkak se lidhet me një pretendim konkret të palës paditëse për mënyrën se si ishte trajtuar pjesa e trashëgimisë brenda familjes.

Megjithatë, dëshmitari nuk është kufizuar vetëm në këtë çështje.

Gjatë pyetjeve të përfaqësuesit të të paditurit, ai është pyetur edhe për atë se si ishte deklaruar nëna e tij lidhur me trashëgiminë e babait të saj, Demë Çeku.

Daci ka deklaruar se, sipas asaj që i kishte treguar nëna, ajo kishte hequr dorë nga trashëgimia në favor të vëllait të saj, Ali Çeku.

“Sipas deklaratës së nënës, ajo ka hequr dorë nga trashëgimia dhe e drejta është bartur te daja i madh Ali Çeku”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesi i të paditurit ka vazhduar me pyetje edhe për trashëgimtarët e tjerë të Demë Çekut.

Ai është pyetur nëse kishte njohuri se si ishin deklaruar anëtarët e tjerë të familjes.

Daci ka thënë se, sipas nënës së tij, të gjithë vëllezërit dhe motrat kishin hequr dorë nga trashëgimia në favor të Ali Çekut.

“Sipas deklaratës së nënës, ajo ka treguar se kanë qenë të gjithë vëllezërit e saj, konkretisht Alia, Ethemi, Muslia dhe Gania, dhe motrat Fetije dhe Mejremi. Të gjithë kanë hequr dorë nga trashëgimia dhe ia kanë dhënë dajës së madh Aliut”, ka deklaruar dëshmitari.

Një detaj i rëndësishëm në këtë dëshmi është se vetë Daci ka sqaruar se informacionet për deklarimet e familjarëve i kishte marrë nga nëna e tij.

Pra, ai nuk ka thënë se kishte qenë vetë i pranishëm në procedurën e trashëgimisë apo se kishte dëgjuar drejtpërdrejt deklarimet e të gjithë trashëgimtarëve.

Ai ka treguar atë që, sipas tij, ia kishte rrëfyer Fahrija.

Kishte punuar në ProCredit Bank dhe në kompaninë ALDEX

Gjatë marrjes në pyetje nga përfaqësuesi i paditësve, Gëzim Daci ka dhënë edhe të dhëna për përvojën e tij profesionale.

Ai ka treguar se kishte punuar në ProCredit Bank nga marsi i vitit 2000 deri në vitin 2014.

Ndërsa nga viti 2021, sipas tij, punon në Bankën Ekonomike.

Përfaqësuesi i paditësve më pas e ka pyetur nëse kishte njohuri për ndonjë kredi që Ali Çeku kishte marrë gjatë kësaj periudhe.

Por përfaqësuesi i të paditurit ka kundërshtuar pyetjen, duke pretenduar se ajo nuk kishte lidhje me objektin e kontestit dhe rrethanat për të cilat ishte ftuar dëshmitari.

Gjykata e ka aprovuar kundërshtimin dhe ka marrë aktvendim që dëshmitari të mos përgjigjet.

“Nuk lejohet dëshmitari që të përgjigjet në këtë pyetje”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Megjithatë, gjatë vazhdimit të pyetjeve, Daci ka konfirmuar se kishte punuar edhe në kompaninë ALDEX.

Ai ka treguar se kishte qenë pjesë e kësaj kompanie nga viti 2014 deri në mars të vitit 2017, në pozitën e menaxherit financiar.

“Siç e ceka më herët, unë kam punuar në kompaninë ALDEX, nga viti 2014 deri në fillim të vitit 2017, në mars. Kam punuar në pozitën e menaxherit financiar”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesi i paditësve e ka pyetur nëse kishte njohuri për kredi në shuma milionëshe që ALDEX kishte marrë nga Raiffeisen Bank gjatë periudhës kur ai punonte në kompani.

Pyetja përfshinte edhe pretendimin se si hipotekë ishte lënë shtëpia në pronësi të Ali Çekut.

Por edhe kjo pyetje është kundërshtuar nga pala e paditur.

Avokati ka argumentuar se paditësit nuk kanë paraqitur ndonjë kërkesë financiare që buron nga afarizmi i të paditurit.

“Paditësit nuk kanë në kërkesëpadinë e tyre asnjë kërkesë financiare që buron dhe mbështetet në afarizmin e të paditurit”, ka deklaruar ai.

Gjykata e ka aprovuar kundërshtimin dhe nuk e ka lejuar dëshmitarin të përgjigjet.

Kështu, pavarësisht se Daci kishte konfirmuar se kishte punuar në bankë dhe më pas në ALDEX, pyetjet që lidheshin me kreditë e kompanisë dhe hipotekën e pronës nuk morën përgjigje në këtë seancë.

Përfaqësuesi i paditësve thotë se dëshmitari ishte i përgatitur nga pala kundërshtare

Gjatë dëshmisë, përfaqësuesi i paditësve ka parashtruar edhe pyetje për raportet familjare të Gëzim Dacit me dajallarët e tij.

Ai është pyetur nëse kishte njohuri për kontestin mes Ali dhe Musli Çekut.

Daci është përgjigjur se ‘po, e di për vetë faktin se jam ftuar edhe këtu në cilësinë e dëshmitarit”.

Më pas, është pyetur për raportet me dajallarët.

“Raporte familjare shumë të mira”, ka deklaruar ai.

Përfaqësuesi i paditësve e ka pyetur edhe se kur kishte qenë për herë të fundit te daja i tij, Musli Çeku.

Por përfaqësuesi i të paditurit e ka kundërshtuar edhe këtë pyetje, me arsyetimin se vizitat familjare nuk janë relevante për objektin e kontestit.

Gjykata ka vendosur që dëshmitari të mos përgjigjet.

Një tjetër pyetje që është lejuar nga gjykata kishte të bënte me atë se çfarë dinte dëshmitari për kontestin dhe kur kishte filluar ai.

Përfaqësuesi i të paditurit ka kundërshtuar, duke pretenduar se pyetja po e orientonte dëshmitarin drejt çështjeve që lidhen me pretendimin për pranimin e parave nga nëna e tij.

Megjithatë, gjykata e ka lejuar përgjigjen.

Daci ka deklaruar se ishte në dijeni për çështjet pronësore, por nuk e mbante mend datën e saktë se kur kishte filluar kontesti.

Në fund të dëshmisë, përfaqësuesi i paditësve ka shprehur vërejtje për deklarimin e tij.

Ai ka pretenduar se dëshmitari ishte i përgatitur nga pala kundërshtare.

Kjo vërejtje është regjistruar në procesverbal.

Doruntina Çeku Eymann gjobitet me 500 euro dhe largohet nga salla

Seanca e 2 nëntorit nuk ka kaluar pa tensione.

Sipas procesverbalit, gjatë kohës kur po merrej në pyetje dëshmitari Gëzim Daci, përfaqësuesja e paditësve, Doruntina Çeku Eymann, ka ndërhyrë në zhvillimin e seancës.

Gjykata ka konstatuar se ajo kishte deklaruar: “Kjo gjykatë është gjykatë e krimit sepse ju ka vra njeri në gjykatë”.

Deklarata, sipas procesverbalit, i referohej rastit të Arlinda Zekajt.

Gjykata ka theksuar se përfaqësueses i ishte tërhequr më herët vërejtja që të mos ndërhynte pa lejen e gjykatës dhe të respektonte rendin në sallën e gjykimit.

Pas kësaj, gjykata ka marrë aktvendim për shqiptimin e gjobës prej 500 eurosh.

Në procesverbal është shënuar: se “përfaqësueses së autorizuar të paditësve Doruntina Çeku Eymann, për shkak të shprehjeve fyese dhe mosrespektimit të urdhrit të gjyqtarit për mbajtjen e rendit, gjykata i shqipton dënim me gjobë prej 500.00 euro.”

Në procesverbal nuk është përfshirë arsyetimi i plotë i këtij vendimi, por është theksuar se ai pason në kopjen e vendimit me shkrim.

Megjithatë, incidenti nuk ka përfunduar me shqiptimin e gjobës.

Gjykata ka konstatuar se, përkundër dënimit, Doruntina Çeku Eymann ka ndërhyrë sërish në fjalën e gjyqtarit pa lejen e tij.

Për këtë arsye, është marrë një tjetër aktvendim. Kësaj radhe, gjykata ka vendosur që ajo të largohet nga salla ku mbahej seanca gjyqësore.

Këto vendime janë marrë gjatë zhvillimit të seancës dhe janë pjesë e procesverbalit zyrtar të gjykatës.

Në fillim të seancës së 2 nëntorit është diskutuar edhe një kërkesë tjetër e palës paditëse, e cila kishte të bënte me procesverbalin e datës 24 shtator 2026.

Gjykata ka konstatuar se përmes një e-maili të datës 26 shtator kishte pranuar kërkesë për korrigjimin e procesverbalit.

Megjithatë, gjykata ka njoftuar palët se komunikimi i tillë përmes e-mailit nuk është në pajtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Sipas gjykatës, kërkesat dhe propozimet duhet të dorëzohen përmes zyrës së pranimit ose të paraqiten drejtpërdrejt gjatë seancës.

Përfaqësuesi i paditësve ka kërkuar që vërejtjet për procesverbalin e kaluar të pranohen.

Ai ka thënë se bëhej fjalë kryesisht për gabime teknike në përshkrimin e pyetjeve dhe përgjigjeve.

“I propozojmë gjykatës që të aprovohet vërejtja në lidhje me procesverbalin e datës 24.09.2026, për shkak të lëshimeve kryesisht të natyrës teknike, gabimeve në përshkrimin e pyetjeve, përkatësisht përgjigjeve nga procesmbajtësja dhe në një rast nuk është shënuar”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurit e ka kundërshtuar kërkesën.

Ai ka pretenduar se korrigjimi i kërkuar ishte tendencioz dhe kishte për qëllim ndryshimin e deklarimeve të të paditurit në seancën e kaluar.

Gjykata ka vendosur që kërkesa e paditësve dhe vërejtjet e palës së paditur të jenë pjesë e procesverbalit të datës 24 shtator 2026.

Dëshmitari Arben Vokshi do të dëgjohet pas përfundimit të ekspertizës

Në fund të seancës, një tjetër vendim i rëndësishëm është marrë lidhur me dëgjimin e dëshmitarit Arben Vokshi.

Përfaqësuesi i paditësve ka kërkuar që dëshmitari të dëgjohet pasi gjykata ta pranojë ekspertizën grafologjike nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Pala e paditur nuk e ka kundërshtuar këtë propozim.

Përfaqësuesi i saj ka sqaruar se dëshmia e Arben Vokshit lidhet me një çështje tjetër të kontestit, përkatësisht pretendimin se nëna e tij kishte pranuar para në këmbim të heqjes dorë nga pjesa e trashëgimisë.

Ai ka bërë dallimin mes kësaj dëshmie dhe ekspertizës grafologjike, duke argumentuar se ato kanë qëllime të ndryshme.

Sipas tij, ekspertiza synon të vërtetojë nëse Musli Çeku kishte qenë i pranishëm në procedurën trashëgimore dhe nëse e kishte nënshkruar procesverbalin përkatës.

Përfaqësuesi i të paditurit ka deklaruar se nuk e kundërshton dëgjimin e Arben Vokshit pasi të arrijë ekspertiza.

Gjykata e ka aprovuar propozimin e të dyja palëve.

Në aktvendim thuhet: “APROVOHET propozimi i të autorizuarve të palëve ndërgjyqëse që dëshmitari Arben Vokshi të dëgjohet pasi që gjykatës t’i arrijë ekspertiza e hartuar me shkrim nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.”

Kështu, dëshmia e tij është shtyrë deri në përfundimin e ekspertizës grafologjike.

Në gjykatë dorëzohen edhe tri dokumente nga një procedurë tjetër

Gjatë kësaj seance, përfaqësuesi i paditësve i ka dorëzuar gjykatës edhe tri dokumente të tjera.

Bëhet fjalë për:

– Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë me numër P.nr.573/18.

– Procesverbalin e datës 23 shtator 2019, me numër P.nr.573/18.

– Procesverbalin e datës 20 korrik 2020 të Gjykatës Themelore në Pejë.

Gjykata ka konstatuar se nga një kopje e këtyre dokumenteve i është dorëzuar drejtpërdrejt në seancë edhe përfaqësuesit të të paditurit.

Në këtë mënyrë, dokumentet janë bërë pjesë e materialit të paraqitur në këtë proces gjyqësor.

Çfarë pritet tani?

Pas përfundimit të seancës, gjykata nuk ka caktuar një datë të re për vazhdimin e shqyrtimit kryesor.

Në aktvendimin përmbyllës është përcaktuar se seanca e radhës do të caktohet pasi gjykata ta pranojë ekspertizën me shkrim nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Kjo ekspertizë do të jetë një nga provat kryesore në vazhdimin e këtij kontesti, pasi lidhet drejtpërdrejt me dokumentin përmes të cilit pretendohet se Musli Çeku kishte hequr dorë nga trashëgimia në favor të vëllait të tij, Ali Çeku.

Nëse ekzaminimi do të konstatojë përputhje apo mospërputhje të nënshkrimit, kjo do të jetë pjesë e provave që gjykata do t’i vlerësojë gjatë vendimmarrjes.

Deri atëherë, pretendimet e palëve mbeten të pakonfirmuara përmes një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Njëra palë konteston vullnetin dhe autenticitetin e dokumentit të trashëgimisë, ndërsa pala tjetër kundërshton pretendimet dhe mbështetet në deklarimet e saj lidhur me heqjen dorë nga trashëgimia.

Në këtë proces, krahas çështjes së nënshkrimit, mbetet për t’u sqaruar edhe pretendimi për kontributin në ndërtimin e pronës, deklarimet për shumën prej 10 mijë eurosh dhe rrethanat që lidhen me procedurën e trashëgimisë.

Përfundimisht, seanca e 2 nëntorit nuk e zgjidhi konfliktin pronësor që ka ndarë familjen Çeku. Por, për herë të parë në këtë fazë të procesit, gjykata ka përcaktuar një rrugë konkrete për verifikimin teknik të njërit prej dokumenteve më të kontestuara të rastit.

Tash, fjala i takon ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

Dhe vetëm pas administrimit të kësaj prove, gjykata do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit Arben Vokshi dhe shqyrtimin e mëtejmë të çështjes.

Procesi gjyqësor mbetet i hapur.

JU REKOMANDOJMË

Enver Hasani për gazetën malazeze: S’ka udhëheqës të gjithë shqiptarëve në rajon

Enver Hasani për gazetën malazeze: S’ka udhëheqës të gjithë shqiptarëve në rajon
03/11/2026 - 17:55

Në opinionin politik të rajonit po shtrohet gjithnjë e më shpesh çështja e rivalitetit ndërmjet politikanëve kryesorë shqiptarë, veçanërisht kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Kosovës,...

Më shumëDetails

Dita e shtatë e protestës për Arlinda Zekajn

Dita e shtatë e protestës për Arlinda Zekajn
03/11/2026 - 17:42

Me vërshëllima e brohori, protestuesit parakaluan në sheshin e Prishtinës për të shtatën natë me radhë, për të vijuar drejt qeverisë, në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn....

Më shumëDetails

Tenderi qindra mijëra eurosh për rrënime në Fushë-Kosovë: Komuna kontrakton 60 euro orën për punëtorët fizikë, ekskavatorin 150 euro për orë

Tenderi qindra mijëra eurosh për rrënime në Fushë-Kosovë: Komuna kontrakton 60 euro orën për punëtorët fizikë, ekskavatorin 150 euro për orë
03/11/2026 - 16:49

Komuna e Fushë Kosovës e udhëhequr nga Valon Prebreza i Lëvizjes Vetëvendosje ka nënshkruar me 26 tetor 2026 kontratën publike kornizë me çmim të pëshuar 262.50 euro dhe...

Më shumëDetails

‘‘Organizatë dinamike’’, Policia konfirmon ndryshimet në udhëheqje, këta janë të emëruarit

‘‘Organizatë dinamike’’, Policia konfirmon ndryshimet në udhëheqje, këta janë të emëruarit
03/11/2026 - 16:23

Gjatë ditës së djeshme është raportuar për ndryshime të shumta në udhëheqjen e Policisë së Kosovës. Nga ky institucion, është thënë se PK’ja, është organizatë dinamike dhe në...

Më shumëDetails

Dogana zbulon mallra të padeklaruara në kabinën e një kamioni në Han të Elezit, kapin vlerën e 2,400 eurove

Dogana zbulon mallra të padeklaruara në kabinën e një kamioni në Han të Elezit, kapin vlerën e 2,400 eurove
03/11/2026 - 15:56

Dogana e Kosovës, gjatë kontrolleve të rregullta në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit, në hyrje të Republikës së Kosovës, ka zbuluar mallra të padeklaruara në...

Më shumëDetails

Anulohet protesta kundër Kurtit, Aliu: S’kemi marrë leje nga Policia

Anulohet protesta kundër Kurtit, Aliu: S’kemi marrë leje nga Policia
03/11/2026 - 15:50

Organizatori i protestës kundër kryeministrit Albin Kurti, Durim Aliu, ka konfirmuar për Ekonomia Online se protesta e paralajmëruar për sot është anuluar. Aliu ka bërë të ditur se...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Detaje të reja nga Gjilani: 65-vjeçari në gjendje të rënduar – zbulohet çka tha gruaja e tij

    Detaje të reja nga Gjilani: 65-vjeçari në gjendje të rënduar – zbulohet çka tha gruaja e tij

    372 Shpërndaje
    Shpërndaje 149 Tweet 93
  • Leonora Jakupi ndahet nga burri pas 10 vitesh? Këngëtarja reagon ashpër (foto)

    132 Shpërndaje
    Shpërndaje 53 Tweet 33
  • Deklarimi i Demirit në Polici: Dy trupat i gjeta në dhomë, s’jam fajtor

    117 Shpërndaje
    Shpërndaje 47 Tweet 29
  • Ekskluzive: Kontrata skandaloze e Përparim Ramës për ndriçimin publik, rritje astronomike e çmimeve deri në 191 mijë e 566% për një pozicion

    120 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Kurti emëron zv.ministren e Shëndetësisë

    106 Shpërndaje
    Shpërndaje 42 Tweet 27

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë