
Një person i moshës 45-vjeçare ka vdekur pasi që është rrëzuar nga skelet në vendin e tij të punës në fshatin Koretin të Kamenicë.
Lajmin për Gazetën Nacionale e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
“Me datën 08.04.2023 rreth orës 13:10 stacioni policor në Kamenicë, është njoftuar se në qendra emergjente të spitalit rajonal të Gjilanit është një person mashkull kosovar (viti i lindjes 1978) pa shenja jete. Njësitet policore relevante i janë përgjigjur rastit dhe sipas informatave preliminare viktima dyshohet se gjatë kryerjes se disa punimeve në një vendëpunishte në fshatit Koretin të komunës së Kamenicës është rrëzuar nga skelet duke pësuar lëndime rënda trupore, si pasoj e të cilave ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku.” – ka bërë të ditur ai.
Osmani ka njoftuar se njësiti i Hetimeve së bashku me Prokurorin e Shtetit janë duke i hetuar rrethanat e rastit.
“Njësiti i Hetimeve Rajonale në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit i cili ka qene prezent në vendin e ngjarjes janë duke i hetuar rrethanat e rastit. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ,, Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e paisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.” – ka njoftuar ai.
Në fund Osmani ka bërë të ditur se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë për obduksion.
Foto: Ilustrim












