Një rast i tmerrshëm dyshohet se ka ndodhur para gjashtë ditësh në fshatin Sveçël të Podujevës, ku një vajzë 7-vjeçare është sulmuar seksualisht nga një burrë 30-vjeçar. Sinjali ka mësuar detaje se si i dyshuari e keqpërdori seksualisht vajzën në një rrugë të fshatit më 10 korrik.
Burimet kanë bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë është vënë në dijeni për rastin, më 12 korrik, pas denoncimit të prindit të të miturës, i cili ka rrëfyer detaje për momentet e tmerrit që ka përjetuar 7-vjeçarja. Në dëshminë e dhënë para zyrtarëve policorë, babai i vajzës ka deklaruar se e bija është trishtuar kur burri 30-vjeçar e sulmoi seksualisht, fillimisht duke e ledhatuar, e më pas duke e puthur me zor.
Pasi është marrë deklarata e prindit të viktimës, Policia ka nisur hetimet, me ç’rast ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, të vendosura në pjesën e rrugës ku ndodhi ngjarja. Nga video-incizimet është bërë identifikimi i të dyshuarit, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti si “sulm seksual” dhe i dyshuari të ndalohet për 48 orë, teksa më pas të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas burimeve të Sinjalit, 30-vjeçari i arrestuar për këtë rast dyshohet edhe për raste të tjera të kësaj natyre, veprime këto që ngjasojnë me pedofili.












