Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd i tha gazetës gjermane, Die Tageszeitung se Perëndimi e ka prioritet zmbrapsjen e ndikimit rus në rajon dhe se dëshiron që konfliktet në Ballkan të zgjidhen deri në fund të vitit.
Me këtë, Biserko e shpjegon atë që thotë se është ndryshim qëndrimi i Shteteve të Bashkuara e Gjermanisë ndaj Serbisë dhe në këtë mënyrë i përgjigjet pyetjes se “pse Shtetet e Bashkuara po tregojnë simpati për Vuçiqin?”. Presioni ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të rritet, thotë ajo.
“Synimi tani është padyshim që të zmbrapset ndikimi rus në rajon. Kjo ka prioritet. Ambasadorët amerikanë nga rajoni u takuan së fundmi në Tiranë dhe diskutuan për këtë. Logjika pas kësaj politike bazohet në besimin se nuk ka mbetur shumë kohë. Konfliktet në Europë dhe mbi të gjitha në Ballkan duhet të zgjidhen deri në fund të vitit, sepse konfliktet gjetkë po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Ka sfida të mëdha në mbarë botën”, tha Biserko.












