Për rreth një orë e gjysmë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u intervistua sot nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarit për rastin e hetimeve që po kryhen për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore në Parkun Industrial në Drenas. Për këtë rast në cilësinë e të dyshuarit u intervistua edhe ministri në dorëheqje i Bujqësisë, Faton Peci. Po si u implikua zëvendëskryeministri i parë në këtë rast të Ministrisë së Bujqësisë?
Prokuroria Speciale sot ka konfirmuar se zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi u intervistua në cilësinë e dëshmitarit, por pa dhënë shumë detaje me arsyetimin se janë në faza të hershme të hetimeve.
“Prokuroria Speciale është duke zhvilluar hetime lidhur me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Në kuadër të zhvillimit të hetimeve, të mërkurën në Prokurorinë Speciale është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit z.Besnik Bislimi. Por, nuk jemi në gjendje sot të diskutojmë apo japim detaje, meqë çështja është në fazën fillestare të hetimeve. PSRK, në koordinim me Policinë është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar të gjitha provat që do të shërbejnë për zbardhjen e rastit konkret”, tha për Express zëdhënësja e kësaj prokurorie, Arbnora Luta.
Bislimi ishte ftuar më herët për të dhënë këtë dëshmi, megjithatë ajo ishte shtyrë për shkak të pjesëmarrjes së Bislimit në takimet e dialogut në Bruksel më 2 qershor.
Për këtë rast, për disa orë më 27 maj ishte intervistuar edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha – që të dy në cilësinë e të dyshuarit.
Si u implikua Bislimi, detyrat parësore të të cilit lidhen me integrimin europian dhe dialogun e Brukselit, në dyshimet për keqpërdorim detyre në dikasterin e udhëhequr nga kolegu i tij, Faton Peci?
Ky i fundit vetë kishte folur publikisht për përfshirje të Bislimit në dhënien e kontratës kësaj kompanie, duke përmendur.
Peci kishte deklaruar se dy herë ishte ftuar në zyrën e Bislimit për të diskutuar për funksionalizimin e kësaj Fabrike, por nga zyra e Bislimit kishin thënë se takimet kanë qenë në kuadër të obligimeve të tij për të funksionalizuar Projektet e financuara me fondet e BE-së.
“Me këtë temë, me procesin e integrimeve europiane, si zëvendëskryeministër i parë merret Besnik Bislimi. Më ka ftuar dy herë në zyrë për këtë temë”, kishte thënë Peci, duke shtuar: “Unë jam kthye në ministri e kam transmetuar shqetësimin e zëvendëskryeministrit për nevojën për funksionalizimin e kësaj fabrike”.
Bislimi, i cili kishte refuzuar qe një kohë t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve mbi këtë rast, të njëjtën e bëri edhe sot pasi foli nga Ministria.
Në fakt, ai u ankua se pati shumë “interesim” nga mediat dhe – duke përdorur narrativën e zakonshme të qeverisë kundrejt mediave e prokurorisë – Bislimi, në një postim në Facebook, tha se “qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial”.
“Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”.
Po ashtu, Bislimi tha se kishte “arritur të konfirmoj” që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa pasë nevojë fare për intervistim.
“Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Europian”, tha Bislimi.
Të njëjtin arsyetim e kishte përdorur edhe shefi i Bislimit, Albin Kurti, për refuzimin e tij për të zbatuar urdhrin e gjykatës për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale – veçse për rastin e rezervave shtetërore.
Kurti kishte akuzuar Prokurorinë Speciale se me ftesën e tij për dhënie të dëshmisë kishte në plan të prodhojë lajme që e shfaqin kryeministrin duke hyrë në këtë institucion.
“Unë po ju tregoj që nuk ju shkoj. Nuk shkoj sepse e kam shumë të qartë planin e tyre. Ata po dëshirojnë që ta prodhojnë një xhirim të shkurtër, ose një fotografi ‘kryeministri më i pakorruptuar në Ballkan duke hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale për një rast korrupsioni’. Kush nuk merret a je dëshmitar a i pandehur. Edhe mua tash po më trajtojnë si të pandehur”, kishte thënë Kurti në dhjetorin e vitit të kaluar.
Cili është rasti?
Në dhjetor të vitit 2019 në Parkun Industrial në Drenas kishte përfunduar ndërtimi i fabrikës që parashihej të përpunonte dhe të asgjësonte nënproduktet shtazore. Ky projekt, në vlerë të 7.7 milionë eurove, ishte realizuar nga AUV-ja, me bashkëfinancimin e Komisionit Europian, por fabrika s’ishte në funksion deri më 2024 kur edhe u hap thirrja për kompanitë që të aplikonin për ta marrë në shfrytëzim fabrikën dhe për të nisur punën në grumbullimin dhe kategorizimin e nënprodukteve shtazore.
Kompania që u raportua se u përzgjodh për ta vënë në funksion këtë fabrikë ishte kompania kosovare LIP KS & IT SH.P.K me afat operimi për 20 vjet.
U raportua se aksionarë të kompanisë fituese janë një kosovar, si drejtor menaxhues i saj, dhe dy kompani të tjera, njëra me adresë në Mal të Zi e tjetra në Itali.
Për këtë kompani u tha se ishte regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) vetëm 5 ditë pas thirrjes për aplikim. Për këtë arsye dyshimet lindën se kompania fituese s’i përmbushi kriteret e kërkuara që të të kishte përvojë 12 deri në 15-vjeçare në përpunimin e nënprodukteve shtazore dhe të dëshmonte se në tre vjetët e fundit kishte përpunuar 20 mijë tonë të nënprodukteve shtazore.
Në një hulumtim të Kallxo.com për rrjedhën e aksioneve të kompanisë që fitoi kontratën për qiranë e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas.
Hulumtimi zbulon se vëllai i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, Florin Bislimi, kishte punuar për një kompani që ishte në pronësi të kompanisë “Fitorja”, që është në pronësi të Tahir Malokut, babait të aksionarit të kompanisë fituese të kontratës (Naser Malokut) të nënshkruar nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Florim dhe Besnik Bislimi e kanë mohuar përfshirjen e tyre në kontratën për qiranë e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore në Drenas me kompaninë “LIP KS & IT”, në të cilën ka aksione Naser Maloku.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala, tha më 27 maj se “hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me dyshimet për dhënien me qira të kësaj fabrike”.