Dje në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë, ku kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Por, vetëm pak muaj më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për Konferencën e Sigurisë të mbajtur në Beograd, ka shprehur qëndrimin se propozimi që atëherë quhej franko-gjerman për dialogun Kosovë – Serbi e që tash njihet në publik si plani evropian për dialogun i afrohet më shumë pozicionit të Serbisë sesa të Kosovës.
“Iniciativa franko-gjermane s’është domosdo modeli i ‘dy Gjermanive’, por ‘Gjermani-Gjermani minus’, sepse disa pjesë të rëndësishme të atij modeli s’janë të përfshira në dokumentin e shpërndarë për të dyja palët. Duhet ta themi se që nga fillimi pengesa kryesore në dialog në Bruksel ka qenë divergjenca mes qëndrimeve të të dyja palëve. Për ne është me rëndësi të ketë dokument final me njohjen reciproke në qendër. Për Serbinë është që të mos ketë dokument final e të mos ketë njohje reciproke. Prandaj, nga kjo perspektivë do të thosha se propozimi franko-gjerman më shumë i afrohet pozicionit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje finale e as s’përfshin njohje reciproke në këtë fazë”, kishte thënë Bislimi.
Këtë plan, për të cilin Lajçak ditë më parë tha se është “merre ose lëre”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha dje se ishte i gatshëm të nënshkruante, por nuk gjeti pajtim nga pala serbe për këtë gjë.
“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për nënshkrim. Unë kam shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar”, ka deklaruar ai.
Në njërën anë, presidenti serb Vuçiq ishte ai që tha se Kosova nuk e pranoi Asociacionin dhe se Kurti kishte ofruar të nënshkruante “diçka” duke iu referuar këtu planit evropian, ndërsa Kurti tha se Vuçiq nuk pranoi të nënshkruante një gjë të tillë.
“Kurti erdhi me idenë për të nënshkruar diçka, ne nuk e morëm në konsideratë këtë”, tha ai, transmeton Paparaci.
“U pajtuam që duhet të vazhdojmë të flasim. Sido që ta shikoni, Asociacioni është i pari. Kam frikë se kjo është pengesa më e madhe”, ka thënë Vuçiq.












