Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dërguar një letër në adresë të kryeministrit Albin Kurti, ku veç tjerash, ka kërkuar nga lideri kosovar që të distancohet nga retorika dhe veprimet që ngrisin tensionet.
Në letrën të cilën u dërgua nga kryeministria, thuhet se është kërkuar edhe rikthimi në dialog me Serbinë, si dhe të shmangën rrugët e tjera përveç dialogut.
“Shpresojmë në lidershipin tuaj personal për rikthimin e momentumit në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të Kosovës, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me fokusin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar”, thuhet ndër të tjera në letër.
“Besojmë që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet forumi më i mirë për normalizimin e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne koordinohemi nga afër me partnerët tanë në BE për këtë qëllim”, ka shkruar më tej Blinken.
Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të koordinohet me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ju lutemi të punoni ngushtë me Ambasadorin Hovenier dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju. Të dy janë të përgatitur për t’i diskutuar specifikat me ju dhe ekipin tuaj. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën për t’i arritur qëllimet e përbashkëta”, ka përmbyllur letrën shefi i diplomacisë amerikane.













