Duke i cilësuar këto zgjedhje si të panevojshme dhe tejet të kushtueshme, kreu i ekzekutivit akuzoi bllokadën në legjislativ për sabotim të drejtpërdrejtë të fondeve evropiane, pasi dështimi për të votuar ligjet la jashtë buxhetit miliona euro të Planit të Rritjes.
Afati kushtetues po afron, ndërsa skenari i zgjedhjeve të reja parlamentare, që do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet, po shfaqet sërish si opsion. Gjatë mbledhjes së dytë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, i cili funksionon si Komitet Drejtues për Planin e Rritjes, kryeministri Albin Kurti u bëri thirrje deputetëve që të gjejnë konsensusin për kreun e shtetit, pasi votimi kryhet brenda sallës plenare.
“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta në më pa se 2 vite. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme e të kushtueshme .Ne tashmë kemi kryetarët e Kuvendit, kemi Qeveri të zgjedhur… Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për Qeveri e jo për president… Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për ta konstituuar Kuvendin që s’mund të zgjedhë president”, tha Kurti.
Përtej ngërçit politik, kryeministri shpjegoi se funksionaliteti i Kuvendit lidhet drejtpërsëdrejti me paratë që Kosova pret nga Brukseli. Ai njoftoi se deri më 30 qershor, Kosova ka zbatuar 20 hapa të reformave në vlerë prej 153.3 milionë eurosh, raport ky që tashmë po vlerësohet nga Komisioni Evropian për lirimin e fondeve.
Mirëpo, për shkak të bllokadës në Kuvend që pamundësoi miratimin e ligjeve, 6 nga 13 reformat e parapara nuk u zbatuan në kohë, duke bërë që Kosova të mos i përfitojë mbi 40 milionë euro.
Kreu i ekzekutivit bëri të ditur se në fillim të javës së ardhshme në Kuvend do të procedohen edhe tri marrëveshje ndërkombëtare për programet IPA, nga të cilat vendi synon të përfitojë 258 milionë euro, ndonëse alarmi i vërtetë mbetet afati i fundit i vitit
“Tani vëmendja duhet të jetë te zbatimi i 22 reformave që skadojnë në fund të dhjetorit të sivjetmë, në vlerë prej 131.4 milionë euro në fondet e BE-së. Mbi 1/3 e këtyre reformave, apo saktësisht 8 sosh, kërkojnë miratim të projektligjeve në Kuvend. Bëhet fjalë për 10 projektligje që skadojnë më 31 dhjetor 2026… Nëse Kuvendi do të jetë funksional, reformat dhe mjetet e dedikuara për to nuk do të humbin”, tha Kurti.
Pas këtyre deklaratave të hapura për mediat, punimet e Këshillit Ministror vazhdua prapa dyerve të mbyllura. Porosia e kreut të ekzekutivit megjithatë mbeti i qartë: pa një Kuvend funksional që zgjedh presidentin dhe kalon ligjet e mbetura, Kosova rrezikon jo vetëm stabilitetin institucional, por humbjen edhe të qindra miliona eurove të destinuara për zhvillim./RTK












