
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, nesër do të vizitojë Bosnje dhe Hercegovinën, në kuadër të vizitës në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Është bërë e ditur se ai do të vizitojë fillimisht do të vizitojë dhe të njihet me operacionet e Forcave Ushtarake Evropiane (Eufor Altea) në Sarajevë, forcë kjo e cila është përforcuar gjatë ditëve të fundit.
Një shtesë prej 500 trupash të EUFOR-it mbërritën në Bosnje më 4 mars, duke përmendur si justifikim”përkeqësimin e situatës së sigurisë në nivel ndërkombëtar që mund të shkaktojë paqëndrueshmëri edhe në Bosnje”.
Trupa shtesë erdhën nga Austria, Bullgaria, Rumania dhe Sllovakia gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë.
Më herët, më 14 mars, Borell vizitoi Maqedoninë e Veriut, ndërsa sot Shqipërinë, ku ndër të tjera tha se Ballkani Perëndimor është prioritet strategjik për BE-në.
Siç është paralajmëruar nga BE-ja, vizita disaditore e Borelit në Ballkanin Perëndimor do të konfirmojë përkushtimin dhe mbështetjen e BE-së për rajonin, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin e luftës në Ukrainë në sigurinë e Evropës në tërësi.












