Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se institucioni që ai përfaqëson është i shqetësuar me mungesën e konsultimeve paraprake të Kosovës në lidhje me rregulloren e BQK-së, e cila prek dinarin serb.
Në një përgjigje të dhënë në emër të Komisionit Evropian, ai thotë se themelimi i Asociacionit është “obligim për Kosovën sipas ligjit ndërkombëtar”.
Borrelli kujton se Asociacioni buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e lidhur nga palët, Kosova dhe Serbia, në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, “dhe e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”.
“Meqenëse palët nuk treguan gatishmëri për t’u angazhuar në negociata rreth statutit të Asociacionit, BE-ja hartoi Draft Statutin Evropian (EDS), i cili u konsultua me ekspertë juridikë ndërkombëtarë dhe respekton Marrëveshjet relevante të Dialogut dhe kornizën ligjore të Kosovës (si dhe vijat e kuqe të palëve për aq sa është e mundur)”.
Ai thotë se ky draft-statut, më 21 tetor 2023, iu prezantua ndaras kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
“Më 26 tetor 2023, Kosova informoi BE-në se do ta pranonte EDS-në me kusht që Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aneksi i saj dhe EDS të nënshkruheshin zyrtarisht” nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, thotë Borrelli në këtë deklaratë të publikuar të mërkurën mbrëma.













