Tashmë ka filluar takimi bilateral i kryeministrit Albin Kurti me ndërmjetësuesin e dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel, Joseph Borrell.
Borrell nëpërmjet një postimi në Twitter, ka theksuar se situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar dhe se gjatë takimit me Kurtin synojnë të gjejnë zgjidhje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe rrugën përpara.
“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”, ka shkruar ai.
Pas takimit me Kurtin, Borrell pritet të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka thënë se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.
Takimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Kurti, dhe Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.












