Banka Qendore e Kosovës ka dhënë detaje nga zbatimi i Rregullores për Operacione me Para të Gatshme dhe Planit për Zbatim të Lehtësuar, në të cilën përfshiheshin edhe dy euro false.
Sipas njoftimit të BQK-së, nga zbatimi i masave të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, deri në prill 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh.
“Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha të denominimeve prej 2 eurosh, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara. Është furnizuar ekonomia me afro 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar.” – thuhet në njoftim.
Më tej, është bërë e ditur se janë tërhequr nga qarkullimi mbi 266 mijë copë 500, me vlerë 133 milionë euro.
“Janë eksportuar 2.4 milionë copë (2.8 milionë euro) të monedhës 2 euro (të tërhequra nga qarkullimi). Numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 266,000 (dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) copë/njësi në vlerë mbi 133 (njëqind e tridhjetë e tre) milionë euro. Janë licencuar katër (4) banka për import/eksport të parasë së gatshme; dhe 57 autorizime (kryesisht të valutave joeuro) për transport të parave të gatshme në kundërvlerë të tërësishme prej 177.4 milionë euro.” – bën të ditur BQK.













