
Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre. Për një rast të tillë, që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Një grua ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj, me të cilin ka deklaruar se ka probleme të vazhdueshme shkaku i xhelozisë.
Sinjali mëson se problemet mes çiftit kishin kaluar në një shkallë tjetër, sa që dje i dyshuari e kishte tërhequr viktimën me forcë, duke i kërkuar të kthehet në shtëpinë e saj.
28-vjeçarja ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga Policia, ku para hetuesve policorë ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur si pasojë e xhelozisë së bashkëshortit të saj.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti ‘Dhunë në familje’.











