Eugen Cakolli nga KDI ka shkruar lidhur me prorcedurën e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, e cila kishte nisur në minutat e fundit të 6 tetorit dhe për pak e kishte kaluar edhe mesnatën.
Ai ka dhënë një shembull nga Italia, duke treguar se si Gjykata Kushtetuese atje kishte konstatuar se s’ka pasur shkelje, ndonëse votimi i një Ligjit ishte bërë pak minuta pas afatit kushtetues.
Cakolli thotë se ndonëse rasti i Kosovës ka specifika të tjera, duhet marrë parasysh faktin që ka nisur procedura e votimit brenda afatit dhe që ka pasur mundësi juridike që ai të përfundohet.
Reagimi i plotë:
Ka praktika ndërkombëtare që tregojnë se kalimi i afateve kushtetuese e ligjore për disa minuta nuk e bën domosdoshmërisht të pavlefshëm një vendim. Rëndësi ka edhe çfarë ishte duke ndodhur kur afati përfundoi.
Një shembull konkret është rasti i Italisë. Atje, në vitin 1995, Këshilli Rajonal i Venetos kishte miratuar një ligj, 27 minuta pas skadimit të afatit ligjor për ushtrimin e kompetencave. Qeveria italiane e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim, me arsyetimin se Këshilli kishte vepruar jashtë afatit dhe pa kompetencën përkatëse.
Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese e Italisë, përmes vendimit nr. 515/1995, e rrëzoi këtë qëndrim. Në pikën 3 të arsyetimit, ajo pranoi që procedura mund të përfundonte edhe pas skadimit të afatit, nëse punimet kishin filluar në kohë dhe seanca kishte vazhduar pa ndërprerje. Gjykata u mbështet te vazhdimësia funksionale e institucionit, duke lejuar përfundimin e një procedure tashmë në zhvillim.
Kjo, përveç se merret për bazë edhe nga jurisprudenca krahasuese ndërkombëtare, ndërlidhet edhe me rastin e zgjedhjes së Presidentes në Kosovë. Meqenëse raundi i votimit kishte filluar para mesnatës dhe kishte vazhduar pa ndërprerje, ekziston argumenti që kemi një akt parlamentar të vetëm, të filluar brenda afatit dhe të përfunduar disa minuta më vonë. Votat individuale shërbejnë për formimin e një vendimi të përbashkët të Kuvendit.
Këtë argument e përforcon mënyra e votimit. Rregullorja kërkon që, në votimin e fshehtë, deputetët të thirren veç e veç. Prandaj, ndërprerja në mesnatë do të krijonte një problem tjetër kushtetues, duke ua mundësuar votimin deputetëve të thirrur më herët dhe duke ua pamundësuar atyre që ende prisnin radhën në të njëjtin raund. Kështu, ushtrimi i mandatit të tyre do të varej edhe nga radha dhe shpejtësia e thirrjes.
Normalisht, ka dallim mes specifikave të situatës në Kosovë dhe asaj në Itali. Atje, Këshilli ruante kompetenca të kufizuara pas afatit. Në Kosovë, situata është më diskutabile, sepse Kushtetuta parashikon shpërndarjen në rast të moszgjedhjes së Presidentit brenda afatit, ndërsa Gjykata ka kërkuar përfundimin e procedurës deri më 6 tetor.
Sidoqoftë, argumenti duhet të mbështetet te natyra e raundit të pandërprerë dhe te mundësia juridike për përfundimin e tij














