Eugen Cakolli ka sqaruar se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes mund të kontestohet drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese vetëm nga një grup prej së paku dhjetë deputetësh.
Sipas Cakollit, deputetët e autorizuar duhet ta parashtrojnë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit të Kuvendit, në të kundërtën, kjo mundësi për kontestim të drejtpërdrejtë, sipas tij, mbyllet.
Ai ka theksuar se dërgimi i një njoftimi në Gjykatën Kushtetuese nuk prodhon efekt pezullues ndaj zgjedhjes së Presidentes.
“E vetmja palë e autorizuar për ta kontestuar drejtpërdrejt vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentes mbrëmë, janë së paku dhjetë deputetë, të cilët duhet ta parashtrojnë kërkesën brenda tetë ditësh nga miratimi i vendimit. Nëse brenda këtij afati nuk parashtrohet kërkesë, kjo rrugë e kontestimit mbyllet”, ka thënë ai.
“Dërgimi i një “njoftimi” në Gjykatën Kushtetuese nuk ka, në vetvete, asnjë efekt pezullues mbi zgjedhjen. Edhe nëse pretendohet që Kuvendi ka shkelur aktgjykimin, duhet të përcaktohet nëse është përmbushur kushti për shpërndarjen e Kuvendit”, ka deklaruar Cakolli.
Avokati Arianit Koci tha se depozitoi sot në Gjykatën Kushtetuese njoftimin për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e presidentit.













