Këshilltari i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe njeriu i afërt me presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, Derek Chollet është deklaruar pas bisedës së djeshme telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka deklaruar se SHBA-të e mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të Bashkimit Evropian.
“Fola me kryeministrin Albin Kurti sot para takimit të udhëheqësve të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, thuhet në shkrimin e Chollet.
Më tutje, Chollet gjithashtu thotë t’i ketë përmendur Kurtit se “është koha për të diskutuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Ai thotë se Kosova she Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar tashmë përmes dialogut dhe si rrjedhojë ai thotë se duhet të bëhet përparim drejt themelimit të Asociacionit.
“Unë ndava se tani është koha për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar tashmë përmes procesit të dialogut, duke përfshirë përparimin drejt themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe”, shkruan Chollet.
Kurti e kishte cilësuar telefonatën me Chollet si “fantastike” duke treguar se i kishte konfirmuar mbështetjen për planin evropian dhe siç thotë ai, t’i ketë përmendur se vetëm njohja reciproke dërgon në normalizim të plotë marrëdhëniesh.












