Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pritet që të sfidohet edhe një herë me një lëndë të re rreth bllokadës së konstituimit të Kuvendit, pak ditë pas aktgjykimit të parë, përmes së cilit u kërkua që brenda 30 ditësh deputetët e legjislaturës së nëntë të zgjedhin kryetarin e nënkryetarët e saj.
Një paralajmërim të tillë e ka bërë Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, që është edhe deputete e zgjedhur, Vlora Çitaku në Rubikon të Klan Kosovës.
Ajo deklaroi se, Partia Demokratike e Kosovës e ka gati lëndën dhe se ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve.
“Ne do të ndërmarrim hapa brenda këtyre ditëve, lëndën e kemi përgatitur, nënshkrimet jemi duke i mbledhur dhe do të kemi një kërkesë të re për sqarime nga ana e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse për ne është shumë i qartë mirëpo do të mundohemi të kuptojmë më qartë cilat janë pasojat e një mosveprimi nga ana e deputetëve. Do të duhej të kishte një pasojë për mos respektimin të aktgjykimit të Kushtetuese. Pra ne do të kërkojmë qartësim cilat janë pasojat për deputetin apo deputeten që nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Çitaku në Rubikon të Klan Kosovës.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së ka deklaruar më tej se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen në tërësi, pasi siç thotë ajo, ato nuk janë tavolinë suedeze që të përzgjidhen cili vendim të zbatohet e cili jo.
“Nuk dua të spekuloj, ne si PDK jemi munduar të respektojmë integritetin e institucioneve të pavarura sepse i kemi ndërtuar bashkërisht me shumë mund e sakrificë. Ka ndodhur që ndonjëherë nuk na kanë pëlqyer aspak vendimet që ka marrë Gjykata Kushtetuese por vendimet e saj nuk janë tavolinë suedeze ku ne përzgjedhim dhe i zbatojmë vetëm ato që na pëlqejnë dhe i lëmë anash ato që nuk na pëlqejnë”, tha Çitaku.