
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për media është deklaruar rreth skandalit financiar ku por raportohet të jetë i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Gjatë deklarimit të saj, Çitaku, ka thënë se, në një kohë kur edhe politika edhe diplomacia e Kosovës është dashur që të fokusohen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, del që diplomacia e Kosovës, është e përfshirë në një aferë me përmasa rajonale, raporton lajmi.net.
“Në një kohë për shkak të rrethanave përtej nesh, është krijuar një mundësi e artë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për shkak të përjashtimit të Rusisë. Në vend se të gjitha resurset tona politike dhe diplomatike të jenë në funksion të jetësimit të këtij qëllimi madhorë, diplomacia e Kosovës duket të jetë i përshirë në një aferë me përmasa rajonale. Z. Berisha ka jetuar në Slloveni, ka hapur xhirollogari bankare dhe biznes në Mal te Zi, dhe skandali ka shpërthyer në Slloveni”, ka thënë Çitaku.
Tutje, ajo ka shtuar se Berisha, e ka vështirësuar punën edhe për ambasadorët e tjerë të Kosovës që janë në vendet fqinje.
“Z. Berisha ua ka bërë të punën të vështirë edhe ambasadorëve tanë në vendet fqinje, mbështetja e të cilëve është e domosdoshme për arritjen e synimeve tona në anëtarësimin në këshillin e Evropës. Shkarkimi nuk duhet të diskutohet”, ka shtuar ajo.
Me tej, ajo ka shtruar disa pyetje të cilat lidhen me shtetësinë e ambasadorit Berishaj, por edhe me verifikimin e AKI-së.
“Ne kemi disa pyetje: Si e ka marrë z. Berisha shtetësinë një ditë para se të bëhet ambasador? A ka kaluar nëpër hallakat e sigurisë? A ka bërë verifikime nga AKI-ja dhe si është marrë ky verifikim?”, ka shtuar ajo.
Çitaku ka folur edhe për rolin e presidentes, qeverisë rreth këtij rasti, ku ka thënë se këta të fundit duhet të marrin hapa institucional dhe politik.
“Qeveria dhe presidenca nuk janë as gjykatës as prokuror, ata duhet të ndërmarrin hapa institucional dhe politik, shkarkimin e menjëhershëm të z. Berisha nga funksioni i tij si ambasador. Presidentja, kryeministri dhe ministri duhet të marrin hapa politik dhe ta shkarkojnë ambasadorin”, ka përfunduar Çitaku.












