Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka folur sonte në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova lidhur me rezolutën për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, duke deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar që kjo rezolutë të miratohet në Kuvend.
Sipas saj, Vetëvendosje nuk ka dhënë asnjë arsyetim për këtë qëndrim, ndërsa e ka cilësuar situatën si të “dhimbshme dhe të turpshme”.
“Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar rezolutë në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Parlamenti i Kosovës nuk ka arritur të krijojë shumicë për të miratuar rezolutë,” tha Çitaku.
Ajo shtoi se përfaqësues të PDK-së, përfshirë edhe Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, janë takuar disa herë me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje për të kërkuar që me konsensus të miratohet një deklaratë në Kuvend, që synon vetëm kërkimin e drejtësisë.
“Unë vet personalisht disa herë, por edhe z. Enver Hoxhaj, z. Memli Krasniqi edhe të tjerët jemi takuar disa herë me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe u kemi kërkuar që bashkërisht me konsensus ta miratojmë një deklaratë në Parlamentin e Kosovës, ku thjeshtë kërkojmë drejtësi,” theksoi ajo.
“Nuk kemi marrë pajtimin dhe kjo është e dhimbshme, nuk e kemi bërë publike, sepse është e turpshme. I kemi lutur dhe arsyeja e vetme pse nuk e kemi bërë publike asnjëherë deri më tani, është se është e turpshme. Nuk ka pranuar Lëvizja Vetëvendosje të nxirret një rezolutë me një tekst të kujdesshëm, me një gjuhë të balancuar, ku thjeshtë kërkohet drejtësi,” shtoi Çitaku.
Ajo theksoi se përfaqësuesit e VV-së fillimisht janë shprehur pozitivë, por më pas janë tërhequr nga ideja.
“Nuk është që kanë dhënë arsyetim, në fillim na kanë thënë po, pastaj thjeshtë janë shmangur dhe si përfundim nuk kemi një tekst të tillë,” përfundoi Çitaku.