Si pasojë e përfundimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, dhe mungesës së zv/guvernatorëve, Bashkim Nurboja do të marrë përkohësisht detyrën e guvernatorit.
Nurboja në cilësinë e kryetarit të Bordit të BQK-së do të marrë këtë pozicion tejet të rëndësishëm.
Lajmin e ka konfirmuar Banka Qendrore e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media.
“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, mori vendimin si në vijim: Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”, thuhet në komunikatë.
Deri te kjo situatë ka ardhur pasi konkursi për guvernator është kthyer në pikën zero.
Bashkim Nurboja që sot ka marrë postin e guvernatorit ka qenë kandidat për kryetar të Pejës dhe kandidat për deputet nga radhët e Vetëvendosjes.
Nacionale pati raportuar se i gjithë konkursi është shoqëruar me dyshime për dallavere të shumta.
Në mesin e kandidatëve që u përzgjodhën ishte edhe Nexhat Kryeziu, gjithashtu ish-kandidat për deputet nga Vetëvendosje.













