Ministri i jashtëm serb dhe trashëgimtari i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq në krye të partisë së tij famëkeqe, Ivica Daçiq, ka thënë se “Serbia ka përmbushur të gjitha për çka janë marrë vesh në dialog” dhe se gjithçka që pengon dhe shkakton që ende nuk ka zgjidhje, “është faji i Kosovës dhe të atyre që i përkrahin në këtë proces”.
“Pas më shumë se dhjetë vjetësh dialog, mund të them vetëm se pala jonë “ka përmbushur gjithçka” për çka është dakorduar dhe se gjithçka që pengon, pengon dhe bën që ende të mos ketë zgjidhje është faji i Prishtinës dhe të atyre që po e mbështesin në këtë proces”. Jo, nuk shpresojmë për asgjë, vetëm insistojmë që obligimet e marra përfundimisht të përmbushen”, ka thënë Daçiq, transmeton Paparaci.
Ai ka shtuar se ka vetëm një obligim, formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Derisa nuk zbatohet ky detyrim nga Marrëveshja e Brukselit, është e kotë të bisedohet për ndonjë gjë tjetër”, ka përsëritur Daçiq, kushtëzimin e shefit të tij, me qëllim të prolongimit sa më të gjatë të status quo-s, i cili i përgjigjet Vuçiqit për të mbetur sa më gjatë në pushtet.
Ai ka theksuar se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, e çka shkruan edhe në Kushtetutën serbe”.
“Nëse Kosova dhe Metohia janë të humbur për Serbinë, siç thonë disa, atëherë përse ende po flasin me ne, e sidomos pse nuk mund të gjejnë zgjidhje pa ne, por kërkojnë që ne të marrim pjesë në krijimin e asaj zgjidhjeje? Ky është rezultat i politikës që ne e udhëheqim me vjet dhe vetëm kjo politikë është meritore që “Kosova dhe Metohia sot nuk është shtet i pavarur”, pretendon Daçiq.












