Të mërkurën, Komuna e Deçanit organizoi një ecje simbolike nën moton “Hapave të Sadriut dhe Azemit”, për të nderuar një nga tregimet më të fuqishme të dashurisë prindërore dhe përkushtimit familjar në vendin tonë.
Marshi nisi nga rrethrrotullimi te “Liridoni” në Carrabreg, në orën 11:00, dhe përfundoi në qendër të Deçanit. Qindra qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe aktivistë u bashkuan në këtë ecje në kujtim të Sadri Shalës – babait që për vite me radhë e shoqëroi të birin, Azemin, në rrugët e qytetit, çdo ditë, me dashuri dhe durim të pashoq.
Azemi, i cili ka Sindromën Down, ishte çdo ditë përkrah Sadriut.
Pas ndarjes së tij nga jeta më 13 korrik, kjo ecje u shndërrua në një homazh për jetën dhe veprën e tij të përditshme – një jetë që fliste me vepra dhe jo me fjalë.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ndau një kujtim prekës nga bisedat e fundit me Sadriun:
“‘15 kilometra i bom sot bac, përdit i bëjm qekaq, kanihere djali po ka qejf me ecë ma shumë e i bëjm 20’, më tha para tre ditësh baci Sadri.”