Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka thënë se qeveria po e arsyeton asgjënë me asgjë, derisa rrugën e Kosovës me miq disa e kanë keqpërdorur dhe disa në emër të kësaj rruge, punojnë kundër saj.
Ajo këtë e ka bërë si reagim ndaj deklaratës së Gërvallës ndaj BE-së, derisa thotë se këta njerëz i keqshfrytëzojnë edhe emra familjarësh, edhe emra patriotësh, edhe ideologji, edhe rrugë, edhe qëllim.
Ajo ka shtuar se këta nuk janë as mish, as peshk, as dru as letër.
Postimi i saj i plotë:
Kryefjala: Arsyetimi i asgjësë me asgjë.Kosova gjithmonë ka njohur të vërtetën e saj. Për shkak të kësaj të vërtete të palëkundshme, ka zgjedhur rrugën e miqve. Rrugën që shtëpia të mos mbahet pa miq. Ndonjëherë ka gëlltitur kritikë masash sepse ishte e vetëdijshme për rrugën e saj. Për qëllimin final. Për Kosovën e lirë dhe të pavarur, me aleancë në BE dhe NATO, dhe miqësi të përhershme me SHBA.
Rrugës ka pasur të tillë që e kanë keqpërdorur këtë rrugë. Edhe më keq, të tillë që këtë rrugë nuk e kanë njohur e miratuar kurrë.
Sidoqoftë, fatkeqësia më e madhe, është që ka edhe të tillë që në emër të po kësaj rruge, punojnë kundër saj. Këta e veshin petkun e rrugës së trasuar por veprojnë në zhbërjen e saj. Këta flasin si bartës të nderit e vlerave, si bartës të historisë e trashëgimtarë të qëndresës teksa pozicionohen pikërisht në kahun e atyre që kanë vepruar për zhbërjen e tyre.
Këta keqshfrytëzojnë edhe emra familjarësh, edhe emra patriotësh, edhe ideologji, edhe rrugë, edhe qëllim.Këta arsyetojnë asgjënë me asgjë, sepse as nuk bëjnë gjë, as nuk qëndrojnë për gjë.
Këta nuk janë as mish, as peshk. As dru as letër.












