
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka komentuar deklaratën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, se s’do të ketë Asociacion pa njohje nga Serbia.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se deklarimet e tilla duhet marrë me rezervë nga opinioni publik, pasi pushtetarët me gënjeshtra të trilluara tentojnë manipulimin e qytetarëve.
“Deklarimet e tilla opinioni i gjerë duhet t’i marrë me rezervë, veçmas nga njerëzit e këtij pushteti të cilët në çdo fjalë që e nxjerrin nga goja, për synim kanë manipulimin e qytetarëve duke thënë gënjeshtra që vetëm këta dinë t’i trillojnë ato. Është një tendencë tani për të manipuluar sërish qytetarët kinse janë duke u angazhuar në dobi të shtetit dhe janë në pozicion për të vendosur kushte, por kjo nuk është më shumë se sa një përpjekje tjetër për të manipuluar”, thotë ajo.
Krasniqi kujton deklaratën e Konjufcës “as asi e as kësi”, ndërsa që Bislimi kishte thënë se do të jepte dorëheqje nëse do të formohej çdo lloj Asociacioni.
“Besoj që ju kujtohet edhe juve, por edhe qytetarëve ajo fraza e famshme që kishte thënë vetë Konjufca, për Asociacionin se s’do të ketë “as asi e as kësi.” Sot nuk thotë ashtu, por për të mbuluar marifetin e kësaj qeverie trillojnë gjëra tjera kinse janë duke punuar në shërbim të popullit dhe vendit, ndërkohë zv. Kryeministri Besnik Bislimi, pati deklaruar se do të jepte dorëheqje nëse do të formohej çdo lloj Asociacioni, nuk ndodhi as ajo siç nuk ndodhi shumë çka tjetër që u harruan me të ardhur në pushtet partia e dhunës dhe e shtet-mohimit Lëvizja Vetëvendosje”, vlerëson deputetja e LDK-së për Gazeta Blic.
Ndërsa, lidhur me mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme në vend së shpejti, Krasniqi thotë se nuk varet nga opozita për shkak të numrave, por që LDK është e gatshme për ato, kurdo që mbahen.
“Tani kjo nuk varet nga partitë opozitare edhe për shkak të numrave në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por gjithsesi nëse pushteti ka guxim për t’u ballafaquar me qytetarët para kohës së rregullt të mbajtjes së zgjedhjeve, ne si LDK jemi të gatshëm për të marrë pjesë në zgjedhje, kurdo që mbahen ato”, deklaron Rrezarta Krasniqi












