Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me deklaratën e para disa ditëve të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Serbi, ka thënë se qëndrimi i shtetit të tij për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur, nuk ka ndryshuar.
Rama, në postimin e tij, ka thënë se pas deklaratës së liderit ukrainas, ‘’nacionalistët më të zëshëm’’ në Tiranë e Prishtinë, kërkuan që ‘’të hiqet dorë’’ nga Ukraina, duke e cilësuar këtë gjë si të ‘’turpshme’’.
Kryeministri shqiptar ka shtuar edhe se, të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen.
‘’ Dhe fatmirësisht, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që llogarit se kush i detyrohet kujt, por është Evropa e Ballkanit që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj’’, ka shkruar Rama mes tjerash.
Postimi:
Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm popullorë në Tiranë dhe Prishtinë tashmë po bënin llogaritë gjeopolitike: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të ndalojmë së mbështeturi të lirët dhe së vajtuari për të bombarduarit. Më të pamaturit prej tyre na sulmuan pse nuk heqim dorë nga Ukraina. Madje, disa brohoritën edhe për Rusinë!
Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk funksionon me kthim shpërblimesh.
Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një favor që këmbehet me një favor tjetër, por është ajo që je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të rrëmujshme. Dhe fatmirësisht, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që llogarit se kush i detyrohet kujt, por është Evropa e Ballkanit që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj.
Ukraina mund të jetë — dhe po, është — gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Evropën dhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të bashkëjetojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja.
Pra, po: LIRI PËR UKRAINËN. Sot, nesër dhe gjithmonë













