Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllka Neziri, thotë se ajo nuk ka falsifikuar nënshkrimet e punëtorëve të Kompanisë Regjionale për Mbeturina “Pastërtia” në Ferizaj, ndonëse në një video që e ka publikuar Gazeta Blic ajo shihet teksa nënshkruhet për punëtorët tjerë.
Edhe pse të premten ajo nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazeta Blic, ajo sot ndërkaq, në një prononcim për gazetën, thotë se video ku ajo shihet duke vendosur nënshkrimet e punëtorëve s’ka të asgjë më grevën e as greva s’ka të bëjë asgjë me Vetëvendosjen.
“Ajo video nuk ka ndodhur në kohën e grevës. Greva nuk është politike. Grevën këta duan ta cilësojnë si politike. Dhe Yllka s’ka pasur të bëjë asgjë me pjesën e grevës. Unë jam punëtore e KRM “Pastërtia” por greva është organizuar prej punëtorëve, nga nevojat e tyre dhe s’ka të bëjë asgjë Vetëvendosje”, thotë ajo.
Neziri shton për Gazeta Blic se rasti me nënshkrimet ka qenë një keqkuptim, për të cilin është njoftuar dhe menaxhmenti i kompanisë.
“Nënshkrimet në atë video janë një gabim teknik, një keqkuptim, për të cilin kanë qenë të njoftuar menaxhmenti i kompanisë një orë pasi ka ndodhur ajo. Nuk ka pasur të bëjë asgjë më grevë. Menaxheri i burimeve njerëzore që i raportojmë ne, në momentin që ka nënshkruar e ka ditur, se edhe formati i listave ka ndryshuar, s’ka qenë te unë. Por ata kanë dashur të gjejnë diçka që ta cilësojnë grevën si politike dhe ajo video ka ndodhur qysh në muajin e nëntë”, deklaron Yllka Neziri.











