Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka kërkuar angazhim maksimal për apelimin e vendimit të Hagës
Në fjalimin e saj në Kuvend, ajo ka ngritur shqetësime mbi raportin e Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara, bashkë me ndërtimin e projektligjit për to, shkruan IndeksOnline.
“Ky projektligj është ndërtuar mbi argumente profesionale dhe angazhim shtetëror të vazhdueshëm. Është i nxitur nga nevoja për të garantuar respektimin e plotë të garancive në të gjitha procedurat” tha Deliu-Kodra.
Ajo bëri me dije se familjet e ish-krerëve të UÇK-së kanë të drejtë të presin që institucionet e Kosovës të veprojnë me përgjegjësi, seriozitet dhe vendosmëri.
“Prandaj, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, i bëjmë thirrje Qeverisë të mundësojë mbështetjen e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave pranë Dhomave të Specializuara, në përputhje me politikat ligjore dhe me garancinë e prezumimit të pafajësisë” shtoi ajo.
Deliu-Kodra gjithashtu bëri thirrje që shqetësimet e dokumentuara të trajtohen përmes mekanizmave gjyqësorë dhe në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, me qëllim garantimin e respektimit të standardeve të të drejtave të njeriut.


















