Gjykata Themelore në Pejë sot ka marrë vendim ndaj zyrtarit policor i cili i kishte kërkuar shumën prej 800 € (tetëqind eurove) një qytetari që të njëjtit t’i siguroj kalimin e provimin për patentë shofer për kategorinë ‘B’ në mënyrë të kundërligjshme.
Shpalljen e aktgjykimit e bëri të hënën, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj-Mekaj, pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit Koraç, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, ndaj të akuzuarit Koraç, gjyqtarja Kukaj- Mekaj, shqiptoi dënim me 6 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, e që me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësohet me dënim unik prej 10 mijë euro gjobë.
Gjobën në fjalë, i akuzuari obligohet që ta paguajë tre muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Paraprakisht, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Agron Galani, i akuzuari Koraç, deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë dhe tha se këtë gjë e bën në mënyrë vullnetare, pa presion dhe i vetëdijëshëm për pasojat e pranimit të fajësisë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Koraç, avokati Gëzim Kollçaku, lidhur me pranimin e fajësisë, deklaroi se pas konsultimit të mjaftueshëm me të mbrojturin e tij, ai me vetëdije dhe me vetë dëshirë, pa kurrfarë presioni ka bërë pranimin e fajësisë për veprimet e veta.
Kollçaku kërkoi nga gjykata që ta pranojë si të vullnetshëm, pranimin e fajësisë.
Kurse, prokurori Galani, i propozoi gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, me arsyetimin se ishte bërë në mënyrë vullnetare nga ana e të pandehurit dhe pas konsumit me mbrojtësin e tij dhe se i njëjti ka mbështetje në prova tjera materiale.
Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, prokurori tha se duke pasur parasysh që i akuzuari e ka pranuar fajësinë, kërkon nga gjykata që i njëjti të shpallet fajtor dhe propozoi që të njëjtit t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 gusht 2022 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Resad Koraç ngarkohej për veprën penale “Ushtrim ndikimi”, raporton BetimipërDrejtësi.
Sipas aktakuzës, gjatë muajve qershor- korrik 2022, në Pejë, i akuzuari Koraç, si Instruktor i vozitjes në Auto Shkollën “Fifi Trade” në Pejë, të cilën veprimtari e ushtronte si veprimtari sekondare jashtë detyrës zyrtare si polic, me dashje dhe vetëdije të plotë, me qëllim të përfitimit material për vete apo personin tjetër, pasi që më parë i akuzuari në cilësi të përsonit zyrtar, polic në nënstacionin policor në fshatin Gorazhdec, ka ndaluar dhe gjobitur të dëmtuarin Marjan Berisha disa herë për shkak të ngasjes së veturës pa patentë shofer, në gjendje të dehur dhe keqpërdorim të targave, i kërkon atij para për pajisjen me patentë shofer.
Aktakuza thotë se i akuzuari kërkon nga dëshmitari Marjan shumën prej 800 eurove, duke i thënë të shkojë tek ai, ta marrë patentë shoferin dhe se do ta pajisë me patentë shofer jashtë procedurave ligjore, do ta sigurojnë dhënien e provimit teorik dhe praktik për kategorinë B, duke i thënë së është në gjendje që të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar dhe duke kërkuar që të caktojnë një takim lidhur me pranimin e parave.
Sipas aktakuzës, dëshmitari-i dëmtuari, më 25 korrik 2022, e njofton Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe pas disa bisedave telefonike mes të pandehurit dhe të dëmtuarit, takohen më 30 korrik 2022, në lokalin “Omni” në hapsirat e Interex në Pejë, ku e priste Marjani.
Në aktakuzë thuhet se pas një bisede, i dëmtuari ia dorëzon të pandehurit Resad shumën prej 800 euro, dhe pasi që i pandehuri ato para i fut në çantën e krahut, arrestohet nga hetuesit e IPK-së.
Me çka sipas aktakuzës akuzohej se ka kryer vepër penale “Ushtrim ndikimi”, nga neni 424, par.1 të Kodit Penal, i cili parasheh dënimin me gjobë dhe dënim me burgim prej 1 deri në 8 vite.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë












