Gjykata Themelore në Prizren- Departamenti i Përgjithshëm ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Sh.H., duke e dënuar me dënim unik prej 7 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë për dy vepra penale të “Vjedhjes së rëndë” dhe një vepër penale “Vjedhje e rëndë” në tentativë. Ai obligohet edhe të paguajë 195 mijë euro në emër të dëmit shkaktuar të dëmtuarit A.B.
Sipas njoftimit të Gjykatës, aktgjykimi u shpall nga gjykatësi Fatmir Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sh.H., akuzohej se në bashkëveprim me shtetasin bullgar V.G., të maskuar kishin hyrë në një argjendari nga ku kishin vjedhur 3 kg ari 14 karad, një pesë-lirëshe, dy lira, hallka të dorës, 1 kg argjend, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarit në shumën prej 195 mijë euro.
“Më 12.01.2025, në Prizren pas orëve të mesnatës duke bashkëvepruar me një (1) të pandehur tjetër V.G. (Shtetas bullgar), të pandehurit të pajisur me maska, me rroba të zeza dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme, hapin derën e lokalit, duke depërtuar brenda në lokalin e argjendarisë, duke shkuar në vendin ku gjendet kasaforta të cilën arrin ta dëmtojnë, duke arritur të hapin të njëjtën dhe pas hapjes nga e njëjta arrin të marrin 3 (tre) kg ari 14 karat, 1 (një) pesë lirë, 2 (dy) lira, hallka të dorës, 1 (një) kg argjend me pastërti 925 dhe 1 (një) peshore, të cilat i vendosin në çantë dhe pastaj largohen nga vendi i ngjarjes me të cilat veprime të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në shumë prej195.000 € (njëqindenëntëdhjetë e pesë mijë euro)”, thuhet në njoftim.
Të njëjtit po ashtu, sipas Gjykatës, po atë ditë, kishin tentuar të grabisin në një argjendari, por nuk kishin arritur ta hapin kasafortën.
“Më tutje me datë të njëjtë 12.01.2025, në orët pas mesnate, në Prizren, tentojnë të marrin pasurinë e të dëmtuarit, në një lokal të argjendarisë, ashtu që të pandehurit të pajisur me maska, me rroba të zeza dhe të pajisur me mjete të përshtatshme, fillimisht bëjnë deaktivizimin e alarmit dhe pasi bëjnë, me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme dëmtojnë hallkat (mbajtësit) e drynit si dhe derën e aluminit, duke e hapur të njëjtën, përmes të cilës arrin të hynë brenda në lokal, të cilët me përdorim të forcës fizike dhe mjete të përshtatshme për hapjen e kasafortës, përpiqet ta hap, pasi nuk arrin të hap kasafortën, menjëherë largohen nga vendi i ngjarjes, me të cilat veprime të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material”, thuhet më tej.
Ndërkaq, më 23 janar 2025, thuhet se i pandehuri kishte hyrë në një objekt duke vjedhur një modem, një DVR dhe kishte dëmtuar kabllot e sistemit të kamerave.
“Kurse me datë 23.01.2025, në objektin e të dëmtuarit, i pandehuri Sh.H:, me qëllim vetes ti sjell dobi pasurore të kundërligjshme, i pandehuri përmes përdorimit të forcës fizike e thyen xhamin e pjesës së objektit të mbyllur, përmes të cilës arrin të depërtoj brenda në pjesën e objektit të mbyllur, dhe pas depërtimit brenda arrin të merr një modem të internetit “Telcom”, një DVR, dhe duke dëmtuar kabllot të sistemit të kamerave dhe pastaj pa u vërejtur nga askush largohet nga vendi i ngjarjes, me të cilat veprime të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Me këtë, akuzohej se ka kryer dy vepra penale “Vjedhje e rëndë” dhe një të “Vjedhjes së rëndë në tentativë”.
Sipas njoftimit, pas mbajtjes së nëntë seancave gjyqësore, dhe fjalës përfundimtare më 17 korrik 2026, Gjykata shpalli aktgjykim dënues ndaj Sh.H.
“Gjyqtari i procedurës ne kuptim te dispozitave ligjore, e ka URDHËRUAR te akuzuarin Sh.H:, për të paguar një shumë të barasvlershme për dëmin që ia ka shkaktuar të dëmtuarit A.B:, e cila është në shumë prej 195.000 € (njëqindenëntëdhjetë e pesë mijë euro) ose Gjykata të konfiskojë pasuritë e të pandehurit me vlerë të barasvlershme, të cilat pasuri janë ngrirë me urdhëresë të Gjykatës, duke bërë shitjen e apartamentit dhe automjeteve përmes ankandit publik nga ana e Agjencisë për Pasuri të Sekuestruar ose Konfiskuar dhe pas shitjes së tyre, me shumën e të hollave të përfituara nga shitja e pasurisë, të dëmtuarit A.B:, t’ia kompensojë dëmin material të shkaktuar si rezultat i veprës penale”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se pasuritë që janë ngrirë dhe të cilat duhet të shiten nga AAPSK, janë: 1 apartament në sipërfaqe prej 117 m2, një automjet i markës Renault/ “Megane”, automjeti i markës “BMW/1K4”, automjeti i markës “BMW/Z3”, automjeti i markës “STELS/650-ST Traktor”.
Të akuzuarit Sh.H., i është vazhduar masa e paraburgimit, e cila masë do të zgjasë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.












