Departamenti Amerikan i Shtetit është deklaruar pas zhvillimeve të djeshme në Bruksel.
Përmes një komunikate për media, DASh ka thënë se mirëpret bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, ndërsa rikonfirmuan mbështetjen e fuqishme në procesin e normalizimit.
Veç kësaj, në komunikatën respektive thuhet se themelimi i Asociacionit është kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një shtet sovarn e multientik.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë.
Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Lajçak dhe Escobar
Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar janë parë së bashku në një takim pune.
Këtë e konfirmoi diplomati sllovak përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, teksa shtoi se po bëhen gati për takimin e radhës të nivelit të lartë.
“Pas takimit të nivelit të lartë që u mbajtë dje, Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe unë duke u koordinuar për hapat e mëtutjeshëm dhe takimin e radhës. U pajtuam për rëndësinë e marrëveshjes në modalitetet e implementimit dhe atë të implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, shkroi tutje ai.
Rrjedha
Kujtojmë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u dakorduan që plani franko-gjerman të gjejë zbatim, ndërsa i pari i qeverisë kosovare pohoi se i njëjti është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.
Veç kësaj, ai ka komentuar edhe mosvënien e të zezës mbi të bardhë gjatë ditës së djeshme, duke thënë se nuk e bëri një gjë të tillë, për shkak se Serbia nuk ishte e gatshme.
Në anën tjetër, BE përmes sajtit zyrtar publikoi 11 pikat e propozuara.











