Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, ka njoftoj se është i gatshëm të japë nënshkrimin e tij për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar situatën në vend pas vendimit të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Berisha, i cili është deputeti i vetëm i PLE-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se në këtë moment nevojitet unifikim politik dhe institucional.
“Si deputet i vetëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga Partia Liberale Egjiptiane-PLE, si përfaqësues i komunitetit egjiptian të Kosovës jam i gatshëm ta jap mbështetjen time dhe nënshkrimin tim për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, për të diskutuar situatën aktuale në vend pas vendimit të 16 shtatorit nga Gjykata Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së”, ka shkruar ai.
Sipas Berishës, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme nevojiten nënshkrimet e së paku 40 deputetëve.
Ai u ka bërë thirrje kolegëve të tij në Kuvend që ta mbështesin këtë iniciativë, në mënyrë që kjo çështje të diskutohet në mënyrë institucionale.
“Besoj se pas mbajtjes së seancës mund të ndërtojmë një rezolutë të përbashkët, përmes së cilës do të shprehim qëndrimin dhe mbështetjen për procesin e mëtejshëm gjyqësor, përfshirë pritshmërinë që Gjykata e Apelit ta rishqyrtojë dhe korrigjojë vendimin e 16 shtatorit, në përputhje me procedurat dhe standardet përkatëse ligjore”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka thënë se Kuvendi mund të shqyrtojë edhe veprime të tjera të mundshme kushtetuese dhe ligjore që janë në kompetencën e institucioneve të Kosovës.
“Në këtë moment, më shumë se kurrë, duhet të jemi bashkë dhe të flasim me një zë për çështjet që prekin vendin tonë dhe qytetarët tanë”, ka shkruar ai.













