Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se veteranët nuk duhet të protestojnë për ligjin që i lë jashtë pagës minimale por të gjithë duhet të jenë në rrugë, spektri politik e shoqëria civile.
“Veteranët nuk duhet të dalin në protesta për këtë temë, për ligjin dhe për trajtimin e tyre meritor si kategoria më sublime në kombin tonë, të gjithë ne të tjerët duhet të jemi në rrugë në protestë, edhe institucionet, spektri politik, shoqëria civile, ky popull që jeton në liri në saje të gjakut të tyre, mundit, të cilët i kam dëgjuar shpesh të thonë mos të kish qenë NATO s’do të ishim çliruar kurrë”, thotë ai.
Sipas Berishës, NATO natyrisht që e ka ndihmuar Kosovën të çlirohet sikur edhe shumë shtete tjera por që ata kanë bashkëpunuar me udhëheqësit e luftës, Thaçin e Rugovën.
“Është e vërtetë se pa ndihmën e NATO-s nuk është çliruar as Kroacia, as Bosnja, as asnjë shtet, as ne. As Evropa nuk është çliruar nga Hitleri pa ndërhyrjen e Amerikës. Pra, gjithmonë dikush dikë e ndihmon në luftëra. Kështu që edhe UÇK-në e vogël e ka ndihmuar partneri më strategjik që janë SHBA-të dhe NATO. Por, kurrë s’do të kishte këtu as luftë e as ndërhyrje ndërkombëtare, pa ata burra të mëdhenj që kanë ditur t’i krijojnë miqtë ndërkombëtarë së pari, pastaj t’i bëjnë ata partnerë në kohën e luftës dhe si ka mundësi të quhet turist një njeri…me kë koordinoi NATO kur u fut të bombardojë në mënyrë humanitare në Kosovë kundër Serbisë. Me kë u koordinua? Me Serbinë? T’i thotë ku me të bombardu? Jo! Me drejtuesit e luftës, në krye të së cilës në të dy prangjet e organizimit e mobilizimit të luftës ishin Hashim Thaçi dhe presidenti Rugova dhe linja e tij.Pra, këtu është ajo jologjika e atyre lloj kualifikimeve”, potencon deputeti i PDK-së për Gazeta Blic.
Sipas tij, lënia e veteranëve jashtë ligjit të pagave është e jashtëligjshme dhe duhet të ndalet në mënyrë kushtetuese.
Sipas tij, kuvendi atë ditë nuk është dashur të vazhdojë punën dhe se është miratuar një ligj i rrezikshëm për vlerat e luftës.
“Lënia e veteranëve jashtë, ne duhet ato ligje t’i ndalim, në rrugë juridike, kushtetuese, sepse bie ndesh me ligjin për kategoritë e luftës. Pra, në aspektin juridik dhe kushtetues ai ligj është i jashtëligjshëm dhe ai duhet të ndalet duke e goditur me Gjykatë Kushtetuese dhe besoj se spektri politik do ta bëjë këtë. PDK e ka dërguar komplet seancën në Gjykatë Kushtetuese sepse kryetari ka qenë ndesh me rregulloren e Kuvendit, sepse në momentin kur ka eskaluar ai është dashur ta ndalë, jo vetëm që nuk e ka ndalë por e ka miratuar atë ligjin e rrezikshëm për rrënimin e vendit, përmes asaj që quhet luftë për faturimin e krimeve të luftës dhe pasluftës. Pra, kjo është një lojë e rrezikshme, nuk është rastësisht i kaluar në mënyrë klandestine, në mënyrë të dhunshme, në një seancë e cila duhej të mbyllej dhe njëkohësisht me ligjin që tërheq më shumë vëmendjen dhe prek aspektin emocional tonin dhe moral, sepse është lënia jashtë pagës minimale të veteranëve për ta futur nën hije pa u vërejtur ky ligj, njëjtë siç ka ndodhur më parë me ligjin për mbrojtje të vlerave të luftës”, shprehet Hisen Berisha./Gazeta Blic/













