Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka drejtuar kritika pas lajmit të sotëm mbi funksionalizimin e Spitalit të fëmijëve në QKUK, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Haxhiu ka shkruar se nga 15 shërbime të parapara për këtë spital, vetëm 3 janë funksionalizuar kurse 12 jashtë funksioni.
Postimi i Haxhiut:
Sot pas gjashtë muaj e gjysmë nga kur u ba inaugurimi, Spitali i fëmijëve në QKUK, pjesërisht filloi punën me vetëm tri shërbime, por jo me kapacitetin e plotë që posedon ky spital me 22 milion euro investim.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë:
Brenda këtij spitali janë funksionalizuar shërbimet e hemato-onkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë,
Ndërsa nuk janë funksionalizuar:
1. Neo-onatologjia,
2. Shërbimet ortopedike dhe shërbimet e tjera për fëmijë.
3. Shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore dhe të traumës;
4. Shërbimet e Observimit dhe Rikuperimit;
5. Shërbimet e ambulancave specialistike pediatrike dhe kirurgjike;
6. Njësia e Radiologjisë së fëmijëve;
7. Sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara;
8. Njësia e Kirurgjisë Ditore dhe Endoskopisë së Fëmijëve;
9. Sterilizimi qendror;
10. Mjekimi intensiv i fëmijëve dhe të porsalindurve;
11. Departamenti i Kirurgjisë së fëmijëve dhe
12. Departamenti i Onkologjisë Pediatrike.
Nga 15 shërbime, sot janē funksionalizuar vetëm tri dhe askush nuk jep llogari.
Bordi dhe menaxhmenti i SHSKUK-së sërish e vuri në lajthitje Ministrinë e Shëndetësisë!











